Norvegjia ka miratuar një ligj që ka të bëjë me retushimin, si përpjekje për të ngritur vetëdijen në shoqëri për imazhin e trupit.
Ligji i ri bën që krijuesit e përmbajtjes të zbulojnë kur ata kanë edituar ose shtuar një filtër në një foto.
Çdo foto ku "forma, madhësia ose lëkura e trupit është ndryshuar nga editimi ose manipulime të tjera" duhet të shënohet si e modifikuar, thotë ligji.
Ligji gjithashtu përcakton që personat e famshëm dhe ‘influencers’ duhet të etiketojnë fotografitë e ndryshuara nëse paguhen ose përfitojnë në një farë mënyre nga postimi e tyre.
Rregullat e reja kaluan me shumicë dërrmuese muajin e kaluar në Parlamentin Norvegjez, në një votim 72-15, raportojnë mediat e huaja.
Redaktimi i fotove luan rol në "pasiguri shoqërore, ndërgjegje të keqe, vetëvlerësim të ulët" dhe "kontribuon në presionin për trupin", ka deklaruar Ministria Norvegjeze për Fëmijët dhe Familjen. Ligji synon t'i kushtojë vëmendje të veçantë mënyrës se si portretizohen gratë në shoqëri dhe si kontribuon në pasiguri.
"Shpresojmë se masa do të japë një kontribut të dobishëm dhe të rëndësishëm në frenimin e ndikimit negativ që ka një reklamë e tillë, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë," shtoi ministria.