Tech

Roveri i Nasa-s prodhon oksigjen në Mars

Descriptive Text

Shndërrimi i dyoksidit të karbonit në oksigjen do të mund t’i hapte rrugë sigurimit të jetës në Mars. Kjo është hera e parë që një burim është nxjerrë nga një planet tjetër për t’u përdorur nga njerëzit në Tokë

NASA ka arritur që ta shndërrojë dyoksidin e karbonit nga atmosfera e planetit të Marsit në oksigjen të pastër e të thithshëm, duke shënuar një tjetër arritje të re jashtëtokësore për agjencinë hapësinore, kanë thënë zyrtarët e NASA-s.

Anija kozmike “Perseverance” e ka ekstraktuar oksigjenin, duke e përdorur një pajisje të quajtur MOXIE, duke e shënuar herën e parë të nxjerrjes së një burimi prej një tjetër planeti për t’u përdorur nga njerëzit në Tokë.

“Ky është hapi i parë i rëndësishëm”, ka thënë në një komunikatë drejtuesi i Drejtorisë së Misionit të Teknologjisë Hapësinore në NASA, Jim Reuter. “MOXIE ka ende shumë punë për të bërë, por rezultatet nga ky demonstrim janë shumë premtuese përderisa po shkojmë drejt qëllimit tonë për t’i parë njerëzit një ditë në Mars”.

Anija kozmike me gjashtë rrota e NASA-s kishte mbërritur në Mars më 18 shkurt, pas një udhëtimi prej 7 muajsh nga Toka, duke dërguar në planetin e kuq shndërruesin MOXIE, helikopterin e vogël “Ingenuity” dhe shumë pajisje të tjera të teknologjisë së lartë.

Në përdorimin e parë, MOXIE, akronim ky Eksperimentin e Përdorimit të Burimeve të Oksigjenit në Mars, ka prodhuar 5 gramë oksigjen. Kjo është sasi e mjaftueshme që një astronaut të marrë frymë për të paktën 10 minuta, ka njoftuar NASA.

Në të ardhmen, pajisja do të jetë në gjendje që të prodhojë deri në 10 gramë oksigjen në orë.

Shkencëtarët planifikojnë që ta vënë në funksion makinën, të paktën edhe nëntë herë gjatë dy vjetëve të ardhshëm, nën kushte dhe shpejtësi të ndryshme, ka bërë të ditur agjencia.

Atmosfera në Mars ka pasur vetëm gjurmë të oksigjenit. Sigurimi i një sasie të bollshme ishte vendimtar për ta mbështetur eksplorimin e njerëzve në planet, së pari si burim i përshtatshëm për të marrë frymë astronautët dhe më pas edhe si përbërës për lëndën djegëse të anijes kozmike që do të kthehet në tokë.

“MOXIE nuk është vetëm instrumenti i parë që prodhon oksigjen në një planet tjetër”, ka thënë Trudy Kortes, drejtoreshë e demonstrimeve të teknologjisë në Drejtorinë e Misionit të Teknologjisë Hapësinore. Ajo e ka cilësuar këtë si teknologjinë e parë të këtij lloji që do t’u ndihmojë misioneve të ardhshme që njerëzit të jetojnë në një tjetër planet.

MOXIE funksion nëpërmjet elektrolizës, duke përdorur nxehtësi të jashtëzakonshme për t’i ndarë atomet e oksigjenit nga molekulat e dyoksidit të karbonit, që përbëjnë rreth 95 për qind të atmosferës së Marsit.

Pjesa e mbetur prej 5 për qind e atmosferës së Marsit, që krahasuar me Tokën ka një densitet prej 1 për qind, përbëhet kryesisht nga azoti molekular dhe argoni. Astronautët që do të mund të jetojnë dhe punojnë në Mars do të kenë nevojë për të paktën një ton oksigjen për një vit, ka bërë të ditur NASA.