Tech

ASHI-ja konfirmon problemet me e-maile në Kosovë

Descriptive Text

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në Kosovë (ASHI) konfirmoi se disa institucione shtetërore në Kosovë po ballafaqohen me probleme teknike në dërgimin e postës elektronike (e-mail).

Kjo agjenci menaxhon Infrastrukturën e Teknologjisë Informative në Kosovë për institucionet e Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së hënë, nga adresat zyrtare elektronike të institucioneve të Kosovës - përfshirë këtu: Presidencën e Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e sistemit të drejtësisë - në adresa të mediave kanë shkuar komunikata të ndryshme me data të mëhershme.

Lidhur me një komunikatë të Presidencës së Kosovës, e cila në fakt ka qenë e datës 25 shtator, ASHI tha se ”është ripërsëritje e paqëllimshme” dhe se kjo ka ndodhur “si pasojë e një problemi teknik të postës elektronike zyrtare, që menaxhohet nga ASHI”.

Drejtori i ASHI-së, Kujtim Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe e-mailet e tjera, të ardhura nga ministritë apo institucionet e tjera, e kanë problemin e njëjtë si Presidenca e Kosovës.

Gashi tha se është duke u punuar në identifikimin e problemit.

"Këto janë probleme lokale. Këto janë si problemet teknike që përdoruesit i kanë. Ne jemi duke i shqyrtuar saktësisht rastet një nga një dhe sapo ta kuptojmë nëse ka diçka ndryshe, ju njoftojmë", tha Gashi.

Ai po ashtu tha se agjencia ka pasur një problem të ngjashëm edhe më herët dhe se për të është informuar kompania e teknologjisë Microsoft, me seli në Uashington/REL.