Tech

Trumpi ia jep “bekimin” marrëveshjes së TikTok-ut me Oracle

Descriptive Text

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka aprovuar një marrëveshje e cila do të lejojë aplikacionin kinez TikTok të vazhdojë operimin në SHBA.

Trump ka thënë se i ka dhënë “bekimin” e tij bashkëpunimit në mes të TikTok-ut dhe kompanisë amerikane Oracle dhe Walmart.

Trump kohët e fundit kishte urdhëruar që aplikacioni të ndalohej në SHBA, me arsyetimin se po rrezikohej siguria kombëtare, raporton BBC.

Zyrtarët e sigurisë së Shteteve të Bashkuara shqetësohen se të dhënat e grumbulluara në TikTok do t’i dorëzohen qeverisë së Kinës, transmeton KOHA. Por, pronari i TikTok-ut, ByteDance, ka mohuar akuzat se është i kontrolluar apo i shpërndan të dhëna qeverisë kineze.

Megjithatë, kjo marrëveshje me TikTok-un nuk ndikon në ndalimin e aplikacionit tjetër kinez të mesazheve WeChat, pasi nuk do të jetë i disponueshëm që nga e diela në mbrëmje në SHBA.

Të shtunën, Trump ka thënë se marrëveshja do të sigurojë të dhënat e 100 milionë përdoruesve amerikanë të TikTok-ut.

“Siguria do të jetë 100 për qind”, ka thënë ai.