Tech

“Fugaku”, superkompjuteri japonez më i shpejtë në botë

Tokio, 23 qershor - Superkompjuteri japonez “Fugaku”, i zhvilluar nga Instituti publik i Kërkimeve “Riken” në partneritet me kompaninë japoneze të informatikës “Fujitsu”, fitoi çmimin si superkompjuteri më i shpejtë në botë, njoftoi sot instituti.

“Fugaku” kryesoi renditjen e fundit në faqen e specializuar Top500, duke hequr nga froni superkompjuterin amerikan “Summit”, i zhvilluar nga “IBM” dhe i instaluar në Laboratorin kombëtar të Fizikës Bërthamore në Oak Ridge, Tenesi.

Shpejtësia e “Fugaku”-t (një tjetër emërtim për malin Fuji, në japonisht) është rreth 2,8 herë më e madhe se e “Summit”-it, ose 415,53 petaflopë kundrejt 148,6 petaflopë.

Një petaflop korrespondon me një milion miliardë operacione për sekondë.

Fugaku nuk pritet të vihet 100% në shërbim deri në vitin 2021, por tashmë ka filluar të përdoret në hulumtimet mbi COVID-19, në veçanti duke modeluar mënyrën se si mund të shpërndahen piklat nga frymëmarrja në një zyrë të mbushur me njerëz ose në tren kur dritaret janë të hapura.

Gjithashtu, sipas institutit “Riken”, në plan afatgjatë, pritet që ai të kontribuojë në hulumtimin e barnave të reja, zgjidhjeve të reja energjetike dhe industriale, në simulimin e katastrofave natyrore apo edhe në kërkime themelore mbi universin/AFP.