Tech

Prokuroria jug-koreane lëshon urdhër-arrest për trashëgimtarin e Samsungut për mashtrim

Prokurorët jug-koreanë kanë lëshuar një urdhër-arrest kundër trashëgimtarit të Samsung Group, Jay Y. Lee, është njoftuar të enjten, në hetimin për shkrirjen kundërthënëse të vitit 2015 dhe mashtrimit të mundshëm në kontabilitet në tentim për të ndihmuar planet e tij, shkruan agjencia Reuters.

Ky është një telash i radhës për Lee-n, i cili, në rast se arrestohet, do të kthehet në burg pak më tepër se dy vjet pasi ishte liruar nga paraburgimi në shkurt të vitit 2018.

Lee ishte përballur më herët me akuza për mitosje me synim për të fituar përkrahjen për të trashëguar Lee Kun-heen, dhe ku ishte përfshirë ish-presidenti Park Geun-hye, dhe kaloi një vit në paraburgim derisa rasti për mitosje u pezullua në vitin 2018.

Prokurorët kanë thënë se kërkojnë arrestimin e Lee-s në dyshim për manipulim me çmime të stoqeve dhe po ashtu shkelje të rregullave të auditimit, ndër të tjera.

Në një deklaratë, avokatët e Lee-s kanë thënë se shprehin keqardhjen për vendimin e prokurorisë që të kërkojë arrestimin e tij, duke shtuar se Lee ka bashkëpunuar plotësisht me hetimet ndërsa Samsungu po kalonte në një krizë menaxhimi.

Aksionet e Samsung Electronics janë rritur për 0.4 për qind.

Prokurorët kanë hetuar për mashtrim në kontabilitet te kompania farmaceutike Samsung Biologics, pasi autoriteti financiar korean është ankuar se vlera e firmës është fryrë për 3.7 miliardë dollarë në vitin 2015.

Prokurorët thonë se kjo shkelje ka ndihmuar rritjen e çmimit të aksionarit më të madh, Cheil Industries, ku Lee kishte shumicën e aksioneve, dhe është shkrirë me Samsung C&T, njofton agjencia Yonhap.

Muajin e kaluar, prokurorët kanë marrë në pyetje Lee-n 51-vjeçar për hetimet e fundit.