Qëkur i kishte hedhur hapat e parë, i kishte pëlqyer të luante me pjesët e kompjuterit.
E kohë më pas, 11-vjeçari Drilon Musolli, deshi ta vazhdonte pasionin e tij në mënyrë më profesionale. Kur i mbushi 7 vjet filloi të shkonte edhe në një shkollë të veçantë, që ia mësonte truqet e programimit.
Dëshira e tij për të mësuar çdo ditë e më shumë ia ka lehtësuar edhe më tej punën.
Ai tani është edhe në përfundim të një projekti që e ka krijuar vetë.
Ai ka synime të mëdha, ku tregon se dëshira më e madhe është që të bëhet programer i famshëm, raporton KOHA.
E pasionin e njëjtë për punën me kompjuter e ndajnë edhe dy shoqet e ngushta, Blina Kasumi e Aniset Cej.
Blina tregon se kurioziteti për të mësuar se si mund të krijohet një lojë e kishte shtyrë atë që të merrej me këtë fushë, e që më pas edhe që ta bënte vetë një të tillë.
E Aniseti sugjeron edhe moshatarët e saja që ta ndjekin një pasion të tillë.
Sipas saj, nga kjo fushë mund të mësosh shumë gjëra.
Dy shoqet, sa herë që bëhen bashkë, janë në kërkim të ideve të reja e eksplorojnë për trendët më të fundit në programim.