Tech

Kur pajisjet e mençura shtëpiake kthehen kundër jush

Descriptive Text

Për miliarda njerëz nëpër botë, jeta përbrenda shtëpisë ka marrë një kuptim krejtësisht të ri sivjet. Banesat dhe shtëpitë janë shndërruar në vende pune, palestra, shkolla dhe hapësira për të jetuar, krejt kjo si pasojë e izolimit mbarëbotëror.

E kjo nënkupton po ashtu se shumë prej nesh po kalojmë më shumë se kurrë kohë me pajisjet që kemi vendosur nëpër shtëpitë tona – të ashtuquajturat pajisje të mençura të lidhura në internet e që mund të kontrollohen me zërat tanë ose përmes aplikacioneve telefonike.

Duke filluar nga kontrolluesi i zërit Alexa, Siri i Apples dhe Google Home e krejt deri te llambat e mençura, ngrohësi i ujit, kamerat e sigurisë dhe termostatet, të gjitha këto njihen kolektivisht si Interneti i Gjërave (IoT), shkruan BBC, transmeton KOHA. Shumë nga pajisjet tona shtëpiake tani janë pajisur me sensorë dhe e kanë aftësinë për t'u lidhur në rrjete pa tela, duke e pasur mundësinë që të mbledhim të dhëna se si t’i përdorim ato dhe të komunikojmë me pajisje të tjera në shtëpitë tona.

Në vitin 2017 ishin rreth 27 miliardë pajisje IoT dhe ky rrjet pritet të rritet për 12 për qind çdo vit, për të arritur në më shumë se 125 miliardë pajisje deri në vitin 2030.

Shpresa është se këto pajisje të mençura mund të kursejnë kohë dhe mund në shtëpi, duke e digjitalizuar dhe automatizuar jetën. Vështirë është të mos i gëzoheni lehtësimit të punës në, po e zëmë, azhurnimin e lajmeve botërore, ndezjen dhe fikjen e dritave përmes komandave të thjeshta, ose kur e keni një termostat që mëson vetë kur t’i ngrohë dhomat, duke u bazuar vetëm në lëvizjet tuaja të përditshme.