Tech

Gatesi jep dorëheqje nga Microsofti

Foto: Reuters / Arkiv

Bashkëthemeluesi i Microsoftit, Bill Gates, ka dhënë dorëheqje nga bordi i kompanisë për të kaluar kohën në aktivitetet filantropike.

Ai ka thënë se dëshiron të fokusohet në shëndetin global dhe zhvillim, edukim e tejkalimin e sfidës së ndryshimeve klimatike.

Një nga njerëzit më të pasur në botë, Gates 65-vjeçar ka thënë se kompania të cilën e themeloi “do të jetë përgjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës sime” dhe se do të jetë i lidhur me lidershipin e saj.

“Mezi po pres fazën e ardhshme të cilën e shoh si rast për të ruajtur miqësitë të cilat kanë kuptim të madh për mua, të vazhdoj të kontribuoj në kompanitë për të cilat jam shumë krenar dhe të kem prioritet përkushtimin ndaj adresimit të disa prej sfidave më të mëdha në botë”, ka deklaruar ai, raporton BBC.

Gates është i listuar si i dyti në listën e më të pasurve në botë, pas themeluesit të Amazonit, Jeff Bezos. Gates ka pasuri prej më shumë se 103 miliardë dollarësh.

Ka bërë pasurinë duke zhvilluar softuerët për kompjuterët personalë.

Si i ri, ai kishte themeluar Microsoftin me mikun e tij të fëmijërisë Paul Allen. Shpërthimi i madh i tyre erdhi në të 80-at kur Microsofti arriti marrëveshje me IBM-në të krijojë sistemin operativ. Microsofti u bë publik më 1986 dhe për një vit Gates, atë kohë 31-vjeçar, u bë miliarderi më i ri.