Gjatë panairit të pajisjeve elektronike CES 2020, Panasonic e prezantoi idenë e vet se si duhet të duken pajisjet e realitetit virtual gjatë vitit 2020. Syzet VR të kompanisë janë të parat që kanë High Dynamic Range (HDR) dhe janë dukshëm më kompakte në krahasim me ato që ndodhen aktualisht në treg, raporton Guru3D.
Syzet Panasonic VR janë ende në fazën e zhvillimit dhe ajo që u tregua gjatë CES mund të mos jetë produkti final, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, syzet duken të shkëlqyera dhe implementojnë disa funksione inovative, si procesimi i avancuar i fotografisë HDR, panelet micro OLED etj.

Karakteristika kryesore e syzeve Panasonic VR janë panelet UHD micro OLED, të zhvilluara në bashkëpunim me Kopin Corporation. Panelet mundësojnë reprodukim fluid të fotografisë pa problemin "Screen door effect". Syzet gjithashtu e kanë të integruar edhe zërin me cilësi të lartë, me drajverë origjinalë dinamikë Technics.