Tech

TSMC nis prodhimin në procesin 5nm nga gjysma e dytë e vitit 2020

Kalimi i kompanisë TSMC në transistorët më të vegjël po vazhdon, siç njoftohet nga JK Wang - nënkryetari i kompanisë për prodhimin në fabrikë. Sipas tij, TSMC do të fillojë me prodhimin masiv të çipave në procesin 5nm gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, raporton TechSpot.

Përveç kësaj, kompania tajvaneze është ende në kornizat e planifikuara të prodhimit komercial në procesin 3nm, i cili është paralajmëruar për vitin 2022. Kompania po e planifikon prodhimin në procesin 3nm në hapësirat e reja të fabrikës.

Kompania TSMC ka bërë hapa të konsiderueshëm në procesin e kalimit në prodhimin 7nm dhe 5nm, ndërsa pjesa më e madhe e kësaj ka të bëjë me investimin në teknologji të reja dhe pajisjen e fabrikave për prodhim në 5nm. TSMC e ka bërë këtë hap për shkak të pritjeve të larta të industrisë prej 5nm në vitin e ardhshëm dhe tregut agresiv 5G, shkruan KOHA Ditore.

TSMC parashikon që tregu 5G gjatë vitit të ardhshëm do të marrë hov të plotë, ndërsa modemët 5G në pajisje kërkojnë shumë fuqi, kështu që kalimi në procesin e prodhimit 5nm është i nevojshëm për ta ruajtur efikasitetin e çipit.