Tech

Microsofti është duke e përgatitur emulimin x86-64 për procesorët ARM

Microsofti po planifikon ta mundësojë punën e sistemit operativ Windows në pajisjet që i përdorin procesorët ARM përmes emulimit x86-64.

Mikroarkitektura e procesorëve ARM i ka kufizimet e veta, gjë që i bën llogaritjet e Windowsit 64-bitësh dukshëm më të ngadalta se mundësitë 32-bitëshe të këtyre procesorëve. Kjo është para së gjithash pasojë e arkitekturës ARM RISC, regjistrave të saj më të vegjël dhe burimeve të kufizuara. ARM është bërë kryesisht me idenë e përdorimit në pajisjet mobile, dhe para se gjithash është përqëndruar në konsumin e ulët të energjisë dhe efikasitetin më të lartë të punës, por performanca dhe kompatibiliteti u sakrifikuan, raporton Neowin.

Është interesante që ky lajm vjen pas deklaratës së zyrtarëve të Qualcommit se diçka e tillë nuk do të ndodhte kurrë. Pyetja është se cili është thelbi i këtij hapi sepse aplikacionet 64-bitëshe bëhen për performanca më të mira dhe pse do të portoheshin tani ato aplikacione në një arkitekturë 32-bitëshe, nëse tashmë është e sigurt që performanca do të jetë dukshëm më e keqe? Ku është qëllimi?

Me emulimin x86-64, programet 64-bitëshe për Windows OS do të jenë në gjendje të ekzekutohen në procesorët ARM, por me një pikëpyetje të madhe në kuptimin e performancave. Versionet 32-bitëshe të aplikacioneve do të jenë një opsion më i shpejtë, shkruan KOHA Ditore. Aktualisht, Windowsi e përdor WOW64, i cili e mundëson ekzekutimin e programeve 32-bitëshe në Windowsin 64-bitësh. Sa i përket emulimit 64-bitësh ARM, ai e kërkon një zgjidhje krejtësisht të ndryshme dhe aktualisht nuk është duke u planifikuar.

Microsofti dhe Qualcommi po punojnë së bashku në kompatibilitetin 64-bitësh të një numri të madh procesorësh, siç është mbështetja për Qualcomm Snapdragon 835 e popullarizuar, por gjithashtu duan ta zgjerojnë atë në modelet ekskluzive 64-bitëshe siç është Snapdragon 8cx. Microsofti dëshiron t'u mundësojë përdoruesve një ndjenjë të ngjashme të punës nëse punojnë në procesorët x86, por kjo padyshim që do të jetë një sfidë e madhe. Gjatë dy viteve të fundit janë arritur përparime të mëdha në këtë drejtim, e që në të ardhmen mund t’i shndërrojë procesorët Qualcom Snapdragon SoC në një alternative serioze për platformat ekzistuese të procesorëve Intel dhe AMD, me kusht që projekti i Microsoftit të jetë i suksesshëm.