Tech

Laptopët e rinj të Samsungut kanë ekrane QLED dhe procesorët më të rinj Intel

Samsungu i ka prezantuar zyrtarisht laptopët e vet Galaxy Book Flex dhe Galaxy Book Ion, ndërsa të dy modelet karakterizohen nga ekranet QLED dhe mbështetja për Project Athena të Intelit, raporton Overclock3D.

Notebookët do të jenë në dispozicion në variante me 13.3 inçë dhe 15.6 inçë, dhe vijnë me mbushje Thunderbolt 3, mbështetje për WiFi 6 dhe hapësirë për ruajtje prej 1TB NVMe. Galaxy Book Flex do të livrohet me serinë e procesorëve Intel 10nm Ice Lake, ndërsa Galaxy Book Ion do të jetë në dispozicion me procesorin e gjeneratës së 10-të Comet Lake. Të dy modelet do t’i kenë deri në 16 GB memorie LPDDR4X ose DDR4.

Laptopët vijnë me ekranet e lartpërmendura QLED, për të cilët theksohet të jenë të parët e këtij lloji në këto pajisje dhe do ta ofrojnë një ndriçim maksimal prej 600 nitesh, shkruan KOHA Ditore. Kjo do t'i bëjë laptopët idealë për shikimin e përmbajtjes në hapësirë të hapur. Dy versionet e laptopëve prej 15.6 inçëve vijnë gjithashtu me çipa grafikë Nvidia M250.

Në segmentin e hapësirës për ruajtje, laptopët do të kenë SSD deri në 1TB NVMe, ndërsa Galaxy Book Ion ofron një numër të madh të sloteve shtesë SSD për zgjerim.

Image

Të dy laptopët e mbështesin funksionin Wireless Powershare, i cili ua mundëson laptopëve t’i mbushin telefonat kompatibil me sistemin Qi, Galaxy Buds ose pajisje të tjera.

Image

Përveç modeleve Galaxy Book Ion dhe Galaxy Book Flex, Samsungu ka paralajmëruar gjithashtu notebookun Galaxy Book S i cili e përdor procesorin e ardhshëm të Intelit Lakefield. Kjo do t'ua mundësojë blerësve të Galaxy Book S ta kenë një laptop me procesor Intel/x86 në vend të variantit Qualcomm/ARM.