Tech

Samsung DeX tani funksionon si aplikacion për Windows dhe macOS

Samsung DeX është një mënyrë e bukur për ta shndërruar telefonin ose tabletin tuaj në një kompjuter. Në fillim, sistemi kërkonte që ta lidhnit pajisjen me një dock, por që atëherë ka evoluar duke e hequr atë kërkesë dhe duke punuar direkt kur kyçet në një monitor me një kabllo të thjeshtë USB-C - HDMI. Me Note10, DeX tani e mbështet një modalitet të ri i cili jeton brenda sistemit tuaj operativ ashtu që tiparet e telefonit dhe kompjuterit tuaj të mund të bashkë-ekzistojnë në të njëjtin ekran.

Karakteristika e re vjen në modalitetin e pavarur të DeX dhe funksionon si me Windows ashtu edhe macOS.

Ndërfaqja mbetet e njëjta me versionet e mëparshme të DeX, por tani funksionon si një aplikacion në kompjuterin tuaj, duke ju mundësuar që të ndërveproni me softuerin e telefonit tuaj, t'i përgjigjeni thirrjeve dhe të dërgoni mesazhe përkrah aplikacioneve të kompjuterit tuaj.

Gjithashtu do të mund të kryeni drag-and-drop të fajlave nga dritarja DeX në kompjuterin tuaj, duke e bërë më të lehtë shpërndarjen e dokumenteve të mëdha nga njëra në tjetrën. DeX dallon nga karakteristika Link to Windows e cila vjen me Note10, pasi që kjo e fundit ju mundëson të bashkëveproni me njoftime dhe mesazhe nga PC juaj, pa i pasqyruar plotësisht aplikacionet e celularit në kompjuterin tuaj. Për dallim nga ky i fundit, DeX ende e kërkon një lidhje USB-C midis telefonit dhe kompjuterit tuaj, por shpresojmë se Samsungu do të mund të punojë në modalitet pa tel për të ardhmen.

DeX do t'ju kërkojë ta shkarkoni një aplikacion të veçantë në kompjuterin tuaj nëse doni ta ekzekutoni atë brenda sistemit tuaj operativ tradicional. Fatkeqësisht, funksioni nuk do të funksionojë me Galaxy S10, por shpresojmë që Samsungu do t’i azhurojë pajisjet e veta të mëparshme për ta mundësuar këtë funksionalitet, pasi që ato kanë specifika të ngjashme me Note10 dhe do të duhej të jenë plotësisht të afta që ta mbështesin atë.