Tech

Google paralajmëron “diçka të madhe” për serinë e re Pixel

Duket se nuk do pritet vjeshta që të mësojmë për serinë e re Pixel, pasi Google ka lëshuar një ‘teaser’ në të cilin premton se “diçka e madhe vjen në ekosistemin Pixel” më 7 maj.

Ka shanse të mëdha që do të shohim telefonat e ri Pixel 3a.

Google kohët e fundit sugjeroi ekzistencën e Pixel 3a dhe 3a XL, dhe 7 maji përkon me konferencën e kompanisë për zhvilluesit.

Nëse telefonat Pixel 3a në fakt dalin muajin e ardhshëm, ne kryesisht e dimë se çfarë mund të presim nga pajisja.

Pixel 3a do të ketë ekran 5.6-inç, procesor Snapdragon 670, 4GB RAM dhe kamerë kryesore prej 12 megapikselë me funksionin Pixel Visual Core, të cilin e ka edhe Pixel 3 premium. Nga ana tjetër, Pixel 3a XL duhet të ketë ekran 6-inç dhe procesor Snapdragon 710.

Google ka në plan të bëjë serinë e re Pixel edhe më të përballueshme, pas disa vitesh të rritjes së çmimeve për pajisjet e saj./KosovaPress