Tech

Samsung paralajmëron smartfon të ri me 6 kamera

Samsungu do të sjellë një inovacion të fuqishëm teknologjik me Galaxy S10, që do të jetë maja e ardhshme e smartfonëve që kompania koreanojugore do të paraqesë në fillim të vitit 2019, e cila do të shënojë edhe dhjetëvjetorin e serisë “S”.

Shumë më i fuqishëm, kushtuar përvjetorit të dhjetë, ai do të quhet “Beyond X” (Përtej X) dhe do të jetë një “përbindësh” me 6 kamera, si dhe do të ofrojë mbështetje për rrjetin 5G.

Sipas “Wall Street Journal”, kompania koreane Samsung do të zbulojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm katër versione të reja të pajisjes.

Të katër produktet, shkruan gazeta, do të paraqiten së bashku, në një ngjarje të planifikuar në mes të muajit shkurt vitin e ardhshëm. Tre celularët “normalë” Galaxy S10, me ekrane midis 5.8 dhe 6.4 inç, do të mbërrijnë të parët në treg. Këto do të pasohen nga Beyond X, një emër që të kujton iPhone X, që konkurrenti i përjetshëm i Samsungut, Apple zbuloi vitin e kaluar për të festuar ditëlindjen e dhjetë të iPhonet.

Beyond X do të ketë një ekran më të madh, 6.7 inç, si dhe do të përbëhet nga 6 kamera: 4 të pasme dhe 2 të përparme. Do të jetë në përputhje me rrjetet e reja të gjeneratës së pestë (5G), që do të lansohen në mbarë botën në po ashtu vitin e ardhshëm./atsh