Storie suksesi

Gani Jakupi

Nënshkrimi i librave në Calvados (France)

Gjatë një kohe kam hequr dorë nga të gjitha aktivitetet tjera dhe i jam përkushtuar gazetarisë vetëm me qëllim që të jem zëri i Kosovës në Francë, e më vonë në Spanjë.

1. Në cilin vit keni mërguar?

- Nuk ka qenë mërgim i mirëfilltë. Diku kah mesi i viteve të ’70, u gjeta i përfshirë në një projekt të shkëmbimit të studentëve me Francën. Edhe pse unë ende isha nxënës i shkollës së mesme, lektori francez në fakultetin filologjik të Prishtinës e vlerësoi njohjen time të frëngjishtes. Shkova me përtesë, nuk më interesonte... por u ktheva i fascinuar! Jo vetëm që francezët nuk kishin kompleks superioriteti, me të cilin ballafaqohesha në pjesët tjera të Jugosllavisë, por ata tregonin kureshtje të mirëfilltë për identitetet dhe kulturën e të tjerëve. Nga ai moment, ëndërroja të kthehesha në Perëndim.

2. Çfarë ju kujtohet më së shumti nga fillesat e jetës në botën perëndimore?

- Ishte si me ia fillue edhe jetës edhe edukatës nga zero. Ndarja klasore në Kosovën komuniste ishte shumë më e ashpër se sa në shtetet kapitaliste. Dikotomia kulturore shkonte dorë për dore me statusin social. Në Perëndim nuk kishe nevojë që të jesh i pasur për të shijuar jetën. Qasja “bohemiane”, e paimagjinueshme në Jugosllavi, atje shndërrohej në realitet: udhëtoja me autostop, flija nëpër youth hostels ose te personat që më bënin konak, haja kur u paraqitke rasti... Jo që ishte çdo herë lehtë dhe komode, por kjo kompensohej me akumulimin e eksperiencave. Disa vjet me radhë vetëm udhëtoja, për t’u kthyer në Kosovë kur s’kisha tjetër rrugëdalje. Unë kam filluar të botoja ilustrime dhe stripa qysh para adoleshencës, me kohë ia arrija të plasojë diçka edhe jashtë vendit, dhe kërkesat e mia ishin relativisht modeste. Pastaj, për një koncert të Bob Dylanit në Paris e dhashë gati krejt kursimin veror, e në një moment tjetër Joan Baez mbajti papritmas natën një koncert falas në shesh të një qyteti italian (Firencë apo Bolonjë... nuk më kujtohet). Fotografoja me fotoaparate të huazuara, luaja kitara të huaja; ishte një kohë kur çdo gjë ndahej me të tjerët, ende mbijetonte fryma hippy. Ma në fund u vendosa në Paris, për shkak se isha i interesuar të punoja në lëmin e stripit.

Image
me Gerry Allanguilan, Algjeri
 

3. Si ka rrjedhur integrimi juaj dhe në çfarë vështirësi keni hasur?

- Kur François Mitterrand e fitoi mandatin e parë (1981), e shfrytëzova koniunkturën politike (administrata e re donte të dukej sa më progresiste) për të kërkuar legalizimin e situatës time – e cila u kurorëzua me marrjen e nënshtetësisë franceze dy vjet më vonë. Paradoksalisht, aty edhe filluan problemet e para. Si bohem, lundron përmbi valët e jetës, por përditshmëria të bën të ballafaqohesh me paragjykimet dhe me anën e errët të çdo shoqërie. Me përvojën si shqiptar në Jugosllavi, e kisha të qartë se qoftë në dominim të gjuhës (ose të kulturës në përgjithësi), qoftë në aftësitë e ndryshme profesionale, duhet të arrija nivel që askush të mos mundet të më “marrë nëpër këmbë”. Nuk ishin edhe të gjitha relacionet konfliktive: kam pasur fatin të njihja artistë të mëdhenj e zemërgjerë që më kanë ndihmuar shumë.

4. Çfarë lidhjesh mbani me atdheun dhe ç’rëndësi ka ai në jetën tuaj?

- Fillimisht, lidhja me atdheun konfigurohej kryesisht përreth familjes. Por fundi i viteve të ’80-a dhe fillimi i të ’90-ave e ngjallën ndjenjën e rrezikut jetik të kombit. Gjatë një kohe kam hequr dorë nga të gjitha aktivitetet tjera dhe i jam përkushtuar gazetarisë vetëm me qëllim që të jem zëri i Kosovës në Francë, e më vonë në Spanjë.

Bagazhi im profesional është thelbësisht frankofon, aty i kam kaluar vitet kritike të formimit tim si artist. Nga ana tjetër, jetoj qe tri dekada në Spanjë dhe jam i mishëruar gjithashtu me kulturën hispanike (duke përfshirë edhe Amerikën Latine). Pavarësisht nga kjo, thelbi i qenies sime është katundari i Kosovës, fëmija që ka luajtur nëpër rrugët e Prishtinës. Diçka që asnjë përvojë tjetër nuk e shlyen.

Rrjedhimisht, rëndësia e atdheut nuk është për mua diçka materiale, por shpirtërore.

Image
Pas një konference në Havanë
 

5. Sa herë në vit mesatarisht vizitoni Kosovën?

- Në situatë normale, tri-katër herë. Shpresoj ta shpeshtoj edhe ma tepër posa të largohet pandemia.

6. Sa ka ndryshuar Kosova sipas përshtypjes suaj?

- Në media dhe në rrjeta sociale po vërej shumë pakënaqësi me evolucionin e mentalitetit kosovar. Është reaksion i shëndosh, sepse gjithmonë duhet tundosur kah përmirësimi, por mosha ime dhe përvoja jetësore më mundësojnë të bëjë krahasime goxha të favorshme. Jo vetëm që shoqëria kosovare ka shkuar shumë larg në kohë relativisht të shkurtër, por është edhe fakti se Evropa aktuale është duke përjetuar një regresion brengosës.

Aty ku Kosova jo vetëm që çalon, por është treguar katastrofike, është politika. Sot, përgjegjësinë për një zhvillim pozitiv e kanë në përpjesë të barabartë edhe qeveria edhe opozita, se asnjëra pa tjetrën nuk mund të japin rezultate pozitive.

7. Çfarë ju mungon më së shumti nga Kosova në mërgim?

- Kosovarët në përgjithësi, me të mirat e me dobësitë e tyre. Rinia kosovare, që më fascinon. Është ndër ma dinamike që njoh. Entuziazmi i sajë është në marrëdhënie absolutisht kundërthënëse me situatën ekonomike e politike. Është e “tradhtuar” nga Perëndimi që ajo e adhuron, por prapseprapë nuk dorëzohet.

8. Mendoni të ktheheni një ditë për të jetuar në Kosovë?

- Nuk bëj plane afatgjate sepse, sado që tash jam goxha i stabilizuar, gjithmonë jam i gatshëm për sfidën e radhës. Havana, Nju Jorku, Tokio,... ose Prishtina: nuk ia mbylli derën asnjë eventualiteti!

9. Na e përshkruani më gjerësisht angazhimin tuaj profesional?

- Kam ushtruar një morí profesionesh të ndryshme, por aty ku kam krijuar prestigj është lëmi i romanit grafik. Nuk jam ndër yjet e paprekshme që e kanë ardhmërinë e sigurt, por ndjehem i privilegjuar sepse botuesit dëshirojnë të më kenë në katalogun e tyre, mediat e përcjellin punët time dhe e kam një fan-base solide në tregun frankofon, e jam duke u përgatitur për t’iu qasur atij anglosakson (tregjet si ai spanjoll, italian etj., janë vetëm anekdotike, pa peshë serioze komerciale). Përkundër moshës, ende jam në gjendje të befasoj dhe të sjell diçka të papritur.

Në spektrin muzikor, shpresoj ta rikonstituoj jazz-formacionin tim pas kalimit të pandemisë, për incizime dhe koncertet të reja, por me ambicie vetëm artistike. Është profesion tepër i brishtë.

10. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për mërgatën?

- Nuk jam personi i përshtatshëm për një pyetje të tillë. Ajo që do të më interesonte eventualisht është nëse unë mund të bëjë diçka për institucionet kosovare. Natyrisht, nuk dua kurrsesi ta përgjithësoj situatën time, jam i sigurt se të tjerët mund t’i përkufizojnë më mirë nevojat e tilla.

Image
Portret nga Hazir Reka