Njeriu i parë i FIFA-s, Gianni Infantino, të premten ka qëndruar për vizitë në Kosovë. Kjo ishte vizita e parë e kreut të shtëpisë botërore të futbollit.
Infantino është pritur nga zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës në krye me presidentin Agim Ademi. Krahas delegacionit të tij, Infantinon gjatë kësaj vizite e shoqëruan edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, si dhe Muhamet Sejdini, kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Infantino ka pasur takime të shumta dhe intensive, siç tha në konferencën për shtyp. Përveç takimit me zyrtarët e FFK-së dhe komunitetin e futbollit, Infantino është pritur edhe nga krerët e shtetit. Është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti, të cilëve ua dhuroi nga një top futbolli dhe nga një fanellë. Ai pati takim edhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. I pari i Prishtinës e nderoi Infantinon duke ia dhuruar “Çelësin e kryeqytetit”. Infantino tha se në këto takime është diskutuar vetëm për futbollin. Ai shtoi se ishte i nderuar nga mikpritja që pati gjatë vizitës. Infantino insistoi se Kosova është shtet futbolli.
“Pikësëpari më lejoni të them se për mua është kënaqësi dhe nder i madh të jem këtu në Kosovë, të takohem me presidentin e Federatës, stafin, komitetin ekzekutiv dhe njerëzit e futbollit. Kosova është një shtet futbolli, është shtet special gjithashtu, sepse është bërë anëtare e FIFA-s në vitin kur jam bërë president i FIFA-s. Nëse nuk është një shenjë e mirë, atëherë përfundimisht është një koincidencë e madhe”, ishin fjalët e para të Infantinos në konferencën për shtyp.
“Kishim ditë interesante dhe intensive, u takuam me presidenten e vendit, kryeministrin, ministrin e Sportit dhe kryebashkiakun e Prishtinës, që ma dha ‘Çelësin e qytetit’. Takuam gjithë komunitetin e futbollit, klubet, referët, sponsorët dhe të gjithë ata që janë pranë futbollit”.
Infantino e quajti Kosovën shtet që është i bekuar në aspektin e futbollit, duke pasur parasysh talentet që ka si brenda ashtu edhe jashtë kufijve. Insistoi se Kosova do të ketë sukses të madh në futboll, si te meshkujt ashtu edhe te femrat.
“Kosova është vend special, vend i ri dhe shtet që është i bekuar në aspektin e futbollit kur shikoni talentet që ka në Kosovë, por edhe në gjithë botën. Kjo është një gjë unike për Kosovën, pasi ka shumë kosovarë me aftësi të jashtëzakonshme. Kur kemi diskutuar me presidenten, kryeministrin dhe të tjerët, kemi folur për ta dërguar futbollin në nivelin tjetër. Ky është shtet që do të ketë sukses të madh në futbollin e meshkujve dhe femrave, pasi tashmë ka lojtarë të mëdhenj që nganjëherë luajnë për shtetet e tjera për shkak se janë rritur aty”, u shpreh Infantino.
Infantino theksoi se futbolli i Kosovës duhet të rritet nëpërmjet shkollave të futbollit e akademive, aspekt në të cilin do të ndihmojë shumë edhe FIFA. Përmendi edhe stadiumin nacional, i cili tha se duhet të jetë simbol i shtetit.
Infantino nuk e harroi as ish-presidentin e FFK-së, të ndjerin Fadil Vokrri. Vizitën e parë Infantino e bëri tek shtatorja e legjendës dhe pastaj vizitoi stadiumin që mban emrin e tij. Vlerësoi edhe punën e presidentit aktual të FFK-së, Agim Ademi, dhe stafin e tij.
“Duhet ta rrisim futbollin në Kosovë, kemi folur për shkollat e futbollit, akademitë dhe për stadiumin nacional që do të jenë krenaria dhe simboli i shtetit që është i ri, por i projektuar për të ardhmen. Kështu që do të shikojmë të bashkëpunojmë dhe punojmë së bashku në këtë aspekt. Dua të falënderoj Federatën, presidentin Agim Ademi që po bën një punë fantastike”, tha Infantino.
“Dua ta përkujtoj një person që e kam njohur dhe është afër zemrës sime, është Fadil Vokrri, që ka bërë shumë për shtetin dhe futbollin e Kosovës, të cilën e kam takuar edhe para se të bëhem president i FIFA-s dhe e kam vlerësuar shumë. Kështu që, gjëja e parë që e kam bërë këtë mëngjes ishte të shkonim në stadiumin e tij dhe ta kujtonim atë me disa lule dhe mendime të mira”.
Ditën e vizitës së Infantinos kreu i FFK-së, Agim Ademi, e ka quajtur speciale për Kosovën, në veçanti futbollin.
“Sot është një ditë speciale për Kosovën, sigurisht për ne edhe me speciale, për komunitetin e futbollit, sepse ta kesh njeriun e parë të FIFA-s këtu do të thotë që nuk është e paktë. Normalisht, jemi të nderuar shumë si federatë, si futboll, si Kosovë që kishim njeriun e parë të futbollit. Ne diskutuam për futbollin, më së shumti për projektet. I pa projektet tona që i kemi me FIFA-n dhe FIFA do të jetë përkrahëse në vazhdimësi e projekteve të tjera”, tha Ademi.
Infantino të enjten ishte në Tiranë, ndërsa së fundi ka vizituar edhe vende të tjera.