Kampionia e dyfishtë olimpike në biatlon, gjermania Laura Dahlmeier, ka vdekur pas aksidenti në alpinizëm në Pakistan, është bërë e ditur të mërkurën.
Aksidenti ndodhi të hënën në mesditë, në një lartësi prej afro 5700 metra. Aksidenti tragjik ndodhi në majën Laila, është bërë e ditur nga klubi alpin i Pakistanit.
Dahlmeier po ngjitej me partnerin e saj të alpinizmit, kur u godit nga një rrëzim i papritur shkëmbi në Luginën Hushe, pjesë e regjionit verior Gilgit-Baltistan.
Kushtet e vështira atmosferike penguan helikopterin e shpëtimit të arrinte në vendngjarje.
Përfaqësuesit e olimpistes gjermane thanë se Dahlmeier mund të ketë vdekur menjëherë, ndërsa partneri i saj i alpinizmit nuk u lëndua.
“Ishte testament i shprehur dhe i shkruar i Laura Dahlmeierit që në një rast si ky askush nuk duhet të rrezikojë jetën për ta gjetur atë”, kanë thënë përfaqësuesit. “Ishte dëshira e saj që të lihej trupi i saj në mal në një rast të tillë. Kjo është edhe dëshirë e të afërmve të saj”.
Dahlmeier vdiq në moshën 31-vjeçare. Ajo u tërhoq nga biatloni në moshën 25-vjeçare, një vit pasi fitoi dy të arta olimpike.