Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Federata Skitare asnjë njoftim për Lojërat Dimërore, Kuka kërkon përgjegjësi për rezultatet dhe transparencë

skijim

Më 12 shkurt, Federata Skitare e Kosovës njoftoi se Kiana Kryeziu e fillon udhëtimin olimpik në “Milano Cortina 2026”. Por Lojërat Olimpike Dimërore përfunduan dhe Federata Skitare e Kosovës nuk lëshoi më asnjë njoftim për ngjarjen kryesore sportive.

Dy skitarët e Kosovës, Kiana Kryeziu e Drin Kokaj, nuk e kishin asnjë garë të suksesshme. Kryeziu doli nga shtegu në tri gara, ndërsa Kokaj në garën e vetme ku mori pjesë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Komiteti Olimpik i Kosovës lëshoi njoftime në rrjetet sociale për dy garat e Kianës dhe për garën e parë të Drinit. Por nuk njoftoi asgjë kur Kiana Kryeziu doli nga shtegu edhe në garën e tretë dhe kështu Kosova e përfundoi paraqitjen në “Milano Cortina 2026” pa asnjë garë të suksesshme.

Kjo qasje nuk është e drejtë, sipas trajnerit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Kuka ka kërkuar përgjegjësi për rezultatet, por edhe transparencë e jo fshehje të dështimeve.

Kuka është trajneri bindshëm më i suksesshëm në vend dhe prej trajnerëve më të mirë në botë në sportin e xhudos. Ai vazhdimisht shpallet trajner i vitit në Kosovë.

Kuka ka shkruar të premten, pasi xhudistet Flaka Loxha dhe Erza Muminoviq kishin garë jo të suksesshme në Grand Slam në Tashkent të Uzbekistanit. Erza e shënoi një fitore, ndërsa Flaka u ndal në luftën e parë. Kuka ishte kritik edhe ndaj xhudistëve.

“Rezultatet e sportistëve, sidomos në gara serioze, nuk duhet t’i fshehim nën tepih, asnjëherë. Diçka e tillë është bërë praktikë në sportin tonë. Për rezultatin e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike Dimërore duhet të ketë përgjegjësi nga dikush e jo të margjinalizohet sikur të mos ketë pasur garë fare. Si komb e kemi egon e krenarinë shumë të madhe, por në sport duhet të jemi më të sinqertë me veten dhe të krijojmë kulturë sportive. Siç flitet për fitore të flitet edhe për humbje, sepse në fund të fundit sporti është lojë”, ka shkruar Kuka.

Ka edhe federata të tjera, sidomos të sporteve individuale, që fshehin rezultatet kur ato nuk janë sipas pritjeve. Në raste ka edhe deformim të rezultateve, por kryesisht rezultatet e zbehta nuk prezantohen fare.

Ndërkohë përgjegjësi për rezultate ka kohë që nuk kërkon askush në Kosovë. Madje edhe ata që do të duhej të kërkonin përgjegjësi kryesisht janë të interesuar që dështimet të kalojnë në heshtje.