Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në Milano e Cortina të Italisë në muajin e ardhshëm.
Këtë e bëri të ditur të hënë Komiteti Olimpik i Kosovës.
Sipas njoftimit, Kiana Kryeziu ka përmbushur kriteret bazë të kualifikimit në tri disiplina të skijimit alpin: sllallom, sllallom të madh dhe super sllallom të madh. Në të tri këto disiplina do të garojë në Olimpiadën dimërore.
Ndërkohë Drin Kokaj ka siguruar kualifikimin në sllallom dhe do të garojë në këtë disiplinë.
Në konkurrencë për ta përfaqësuar Kosovën ishin edhe Lirika Deva dhe Klos Vokshi.
“Në garë për kualifikim ishin edhe Lirika Deva, e cila plotësoi kriteret në sllallom dhe sllallom të madh, si dhe Vokshi në sllallom të madh. Sipas rregullave, Kosova mund të përfaqësohet në Lojërat Olimpike Dimërore me nga një garues për secilën gjini. Në këtë rast, Kryeziu kishte më shumë disiplina në të cilat u kualifikua, ndërsa Kokaj ka pikë më të ulëta kundrejt Vokshit, në disiplinën e sllallomit”, ka njoftuar KOK-u.
Kryeziu tashmë ka përvojë në Lojërat Olimpike Dimërore.
“Kiana Kryeziu ka përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, ndërsa për Drin Kokajn, Milano Cortina 2026 do të jetë paraqitja e parë olimpike. Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina do të mbahen nga 6 deri më 22 shkurt 2026”, shkruan tutje në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.