Me një video 32-sekondëshe të postuar nga skuadra amerikane Inter Miami në Twitter është konfirmuar transferimi i Lionel Messit.
Messi do t’i bashkohet skuadrës së ligës MLS në SHBA pas largimit nga kampioni i Francës, Paris Saint-Germaini. Messi, 35-vjeçar, pati ofertë më të madhe nga skuadra Al-Hilal e Arabisë Saudite, ndërsa rikthimi te Barcelona u bë thuajse i pamundur për shkak të “fair-playit” financiar.
“Kam vendosur të transferohem në Miami”, ka thënë Messi për “Diario Sport” dhe “Mundo Deportivo” të mërkurën mbrëma. “Kam vendosur të largohem nga Evropa”, ka shtuar ai. Në kontratën e Messit përfshihet edhe bashkëpunimi me brendet e njohura si Adidas dhe Apple. Messi e fitoi “Topin e Artë” dhe çmimin e lojtarit më të mirë në botë shtatë herë.
Ai pritet ta përsëritë një sukses të tillë pas suksesit në Kupën e Botës në dhjetor të vitit të kaluar me Argjentinën në Katar.
Kjo është hera e parë që ikona e Barcelonës, Messi, do të luajë jashtë Evropës. Ai ka dashur të qëndrojë në Evropë edhe për një sezon tjetër, por pasi nuk pati oferta të kënaqshme, ai kishte dy opsione tjera, Inter Miamin apo Al-Hilalin. U fol shumë se mund të kalonte në elitën e futbollit të Arabisë Saudite, ku do t’i gjente në të njëjtën ligë edhe Cristiano Ronaldon dhe Karim Benzeman, por një gjë e tillë nuk u realizua. Tek Al-Hilali do të përfitonte 400 milionë euro në sezon.
Megjithatë, Messi vendosi të transferohet në ligën MLS tek Inter Miami për arsye të ndryshme, përfshirë edhe jetesën. Ai ka shtëpi në Miami. Paris Saint-Germaini me Messin e fitoi ligën në dy sezonet e fundit. Por Messi dhe PSG-ja u eliminuan në Ligën e Kampionëve në 1/8 e finales nga Bayern Munichu, dhe koha e tij në Francë nuk u vlerësua shumë e suksesshme. Shënoi 32 gola në 75 ndeshje për klubin parisien dhe e mbylli edicionin me 16-të gola e 16-të asistime në Ligue 1.
Kontrata dyvjeçare e Messit skadon në këtë verë dhe të dyja palët u pajtuan me ndarjen e rrugëve. Messi në muajin maj ishte suspenduar për dy javë nga klubi për shkak të udhëtimit të paautorizuar nga klubi në Arabinë Saudite.
Messi ishte larguar nga Barcelona në vitin 2021, pas 21-vjetëve të kaluara me klubin nga Katalunja. Barcelona u përball me probleme të shumta financiare dhe çoi në largimin e yllit argjentinas. Messi është golashënuesi më i mirë i Barcelonës me 672 gola. I fitoi 10-të tituj të La Ligas. Ligën e Kampionëve e fitoi katër herë, kurse Superkupën e Spanjës, shtatë herë.
— Inter Miami CF (@InterMiamiCF) June 7, 2023