Sport

Zyrtari i FFK-së: Jam kapur për fyti nga Agim Ademi

Në prag të zgjedhjeve në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), gjatë ditës së mërkurë dyshohet se i pari i FFK-së, Agim Ademi, e ka sulmuar fizikisht punëtorin e shtëpisë së futbollit kosovar, Artan Govori.

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar Policia e Kosovës, duke treguar se Govori ishte duke u intervistuar. E pas intervistimit disaorësh në Stacionin e Policisë pak metra larg selisë së FFK-së, Govori ka pohuar sulmin nga Ademi. Ai tha se është kapur për fyti nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Në anën tjetër, Ademi ka mohuar për KOHËN se e ka sulmuar fizikisht Govorin, ndërsa me sqarim gjatë ditës ka dalë edhe Federata e Futbollit e Kosovës. Nga FFK-ja është thënë se është i pavërtetë sulmi i Ademit ndaj Govorit. Por, Govori insiston se është sulmuar fizikisht nga kryetari Ademi. Para se Govori të deklarohet për media pati një debat në mes të tij dhe udhëheqësit të “Dardanëve”, Lulzim Berisha. Ky i fundit, së bashku me kreun e Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani, ishin në Polici në cilësinë e dëshmitarëve.

Lulzim Berisha: Nuk bën të gënjesh kështu, Artan.

Artan Govori: Kush po gënjen?

Lulzim Berisha: Të shpikësh gjëra

Artan Govori: Jo, nuk po shpik asgjë

Lulzim Berisha: Mos e gënje opinionin, o burrë, sepse aty isha. Mos gënje, ki pak dinjitet, se të kam shok

Artan Govori: Unë të kem dinjitet a? Jo, ai shoku yt le të ketë dinjitet

Lulzim Berisha: Nuk e kam shok unë, por është kryetar i Federatës

Artan Govori: Ai është i yti, por i imi nuk është

Lulzim Berisha: Mos shpikni, sepse shqiptar jemi, nuk jemi “maxhup”

Govori ka theksuar se sulmi fizik ndaj tij nuk ka pasur të bëjë asgjë rreth debatit për punë në FFK.

“Është e vërtetë që nuk ka pasur rrahje. Debat, raport të punës, nuk ka pasur lidhje me punë. Ka pasur lidhje me shantazhe të llojit të Agim Ademit që i bën tash e sa kohë, sidomos ndaj meje. Të fotografojnë, të përcjellin njerëz, të dërgon fotografi, pse po rri me atë, pse po rri me këtë. Thua ti që, unë me gjithë këto vjet që i kam bërë, e duhet të më tregojë ky se me kë të rri, apo çfarë të bëj. Pse bëhet ajo? Është mirë t’ia drejtoni atë pyetje Agim Ademit, pse ai mendon të na caktojë me kë të rrimë e çfarë të bëjmë ne”, ka thënë Govori.

Raportimi për rrahje nga Govori ka ndodhur në prag të zgjedhjeve në Federatën e Futbollit të Kosovës. Zgjedhjet për të parin e FFK-së, që do të mbahen më 6 prill, kanë nxitur debat të madh në futbollin kosovar. Ademi synon mandatin e dytë në krye të FFK-së, ndërsa kundërkandidat i tij është konfirmuar i biri i legjendës Fadil Vokrri, Gramozi. Govori e ka quajtur kriminel të parin e FFK-së.

“Dje më ka fotografuar dikush prej këtyre, më falni në shprehje, ‘llaskucave’ të Agim Ademit, duke ndenjur me dikë që nuk i pëlqen atij. Ma ka dërguar atë foto, vetëm i thashë: A bën të ma tregosh njeriun që po i kryen këto punë, sepse nuk po ndihem i lirë kur po dal në qytet. Pastaj ai filloi me atë fjalorin e tij që e ka të zakonshëm, prej krimineli”, është shprehur Govori.

Govori ka shtuar se Ademi nuk i ka lënë të punojnë lirshëm dhe ka thënë se ka shenja nga sulmi i tij.

“Kjo që po e them para kamerave. Këto kanë ndodhur. E kom një lëndim në qafë që me ka shtrënguar. Më ka gërvishtur pak këtu. Po mendoj, nuk ka qenë ndonjë sulm ku ta dish se çfarë, por ka qenë mjaft për mua të duroj asi lloj presioni, e sidomos një sulm i vogël fizik”, ka rrëfyer Govori.

Govori po ashtu ka zbuluar se para zyrtarëve të policisë e ka treguar vetëm realitetin.

Ai pret që me këtë rast të merren policia dhe prokuroria. Govori ka shtuar se punëtorët e FFK-së kanë presione kur flasin edhe me njëri-tjetrin. Govori ka thënë se edhe më herët ka pasur një problem me kryetarin Ademi.

“Unë e kam pasur edhe një problem në fillim para tre vjetësh e gjysmë kur është bërë kryetar, faktikisht jam i pari që kam pasur problem me Agim Ademin. Pastaj kanë ardhur Gramozi, Arianiti e të tjerët që veçse i ka larguar. Mua nuk e di pse nuk më ka larguar prej kohësh. Më ka devalvuar në punë, në pozitë, në çdo gjë, por, sido që të jetë, unë kam qëndruar dhe jam marrë me punë të mia”, ka thënë zyrtari i FFK-së.

Kryetari Ademi të mërkurën për KOHËN ka thënë se nuk ka ndodhur asgjë.

“Nuk merrna bre me kësi senesh. S’ka ndodhur asgjë. Nuk kam kohë me u marrë me këso gjërash”, ka thënë Ademi për KOHËN. Edhe FFK-ja ka thënë se janë të pavërteta raportimet e mediumeve për sulmin e Ademit ndaj Govorit. Por, Govori thotë se dëshmitarë kanë qenë Përparim Hasani dhe Agim Dibrani.