Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zyrtare: Partizani – Kukësi, gjykohet nga referë të huaj

Tashmë është zyrtare. Partizani – Kukësi do të gjykohet nga një treshe arbitrash të huaj.

Kërkesa e klubit të kuq që supersfida e javës së 32-të në kategorinë Superiore shqiptare, që mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion, për gjyqtarë të huaj është marrë në konsideratë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe të premten në “Selman Stërmasi” do të jenë arbitra të huaj ata që do të vendosin drejtësi, transmeton Supersport.

Me një komunikatë Federata shqiptare e Futbollit ka sqaruar edhe motivet pse kjo supersfidë do të gjykohet nga arbitra të huaj. Komisioni i Caktimit të Arbitrave pranë FSHF-së duke marrë në konsideratë edhe peshën, vlerën dhe rëndësinë e ndeshjes së kësaj jave mes Partizanit dhe Kukësit ka vendosur që kjo ndeshje të gjykohet nga një treshe e huaj arbitrimi.

Image

Federata do të bëjë publike në ditët në vijim edhe arbitrat e huaj që do të jenë në Tiranë për këtë ndeshje, lexohet në komunikatën e Federatës shqiptare të Futbollit. Nuk dihen ende se nga cili shtet i Europës do të jenë arbitrat që do të gjykojnë sfidën mes Partizanit dhe Kukësit, por më shumë gjasa që të jetë një treshe gjyqtarësh gjermanë pasi federata gjermane e futbollit i ka dhënë përgjigje pozitive FSHF-së, por mungon ende zyrtarizimi.