Arbër Hoxha është lojtar i ri i Dinamo Zagrebit.
Ish-klubi i Hoxhës, Slaven Belupo, ka konfirmuar se ka shitur kosovarin te gjiganti kroat. Slaven Belupo ka shkruar se bëhet fjalë për njërën prej shitjeve më të shtrenjta në histori të klubit.
Ndërkohë Dinamo i ka dëshiruar mirëseardhje Hoxhës.
“Arbër, mirësevjen në klubin më të madh kroat”, ka shkruar Dinamo të martën mbrëma.
Hoxha luan sulmues krahu, ndërsa është shquar me paraqitje të mira në vjeshtë. U kërkua nga skuadra të ndryshme, por vendosi për Dinamon.
Edhe
E kryer, Hoxha drejt Dinamo Zagrebit
“Slaven Belupo më pranoi në momente të vështira për mua. Mënyra se si të gjithë janë sjellë me mua gjatë qëndrimit në klub ishte vërtetë e shkëlqyer dhe këtë nuk do ta harroj asnjëherë. Shpresoj që me angazhimin në ndeshje dhe në çdo stërvitje jam shpaguar sado pak. Këtë transfer e shoh si shpërblim për mua dhe për klubin. I falënderoj të gjithë në klub dhe në qytet që më kanë mundësuar të ndihem si në shtëpi”, ka thënë Hoxha.
Ai ishte te Slaven Belupo nga shkurti i vitit 2022. Më herët luajti për Lokomotivën e Zagrebit, Ballkanin, Prishtinën dhe disa skuadra tjera kosovare. 25-vjeçari i ka tri paraqitje për Kosovën.
Me transferimin te Dinamo do të jetë kandidat i fortë për vend të rregullt te Kosova.
Dinamo ka shkruar se Hoxha bëhet sulmuesi i pestë kosovar që i bashkohet. Ka përmendur Kujtim Shalën, të pëlqyerin e tifozëve, pastaj Ardian Koznikun, Fatos Beqirajn dhe Lirim Kastratin.
“Jam shumë i kënaqur që kam nënshkruar me Dinamon dhe jam bërë lojtar i ri i këtij klubi të madh, më të madhit në Kroaci. I falënderoj ish-bashkëlojtarët dhe trajnerin për të gjitha. Por tani për mua nis rruga e dëshmimit në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Kohë të gjatë kam dashur të luaj për Dinamon dhe kur kam dëgjuar se ka interesim nuk kam dyshuar se si do të jetë rrjedha. Do të jap çdo gjë nga vetja për të arsyetuar besimin e klubit dhe së bashku të arrijmë suksese”, ka thënë Hoxha për sajtin zyrtar të Dinamos.
Te Dinamo presin shumë nga futbollisti kosovar. Hoxha do ta mbajë fanellën me numër 20.
Edhe
Te Slaven Belupo pranojnë se Hoxha mund t’i bashkohet Dinamos
Video: