Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zvicra kërkon kualifikimin në fshatin e vogël hungarez

Ndeshja e shtyrë mes Izraelit dhe Zvicrës do të zhvillohet të mërkurën prej orës 20:45 në Felcsut të Hungarisë. Kjo ndeshje është dashur të zhvillohet më 12 tetor në Izrael, por u shty për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Zvicra me fitore ndaj Izraelit siguron biletën për Euro 2024. Dhe kualifikimin e siguron në fshatin e vogël në Hungarinë qendrore. UEFA ka zgjedhur fshatin Felcsut si vend ku do të zhvillohet ndeshja. Bëhet fjalë për një fshat më 1800 banorë, 50 kilometra larg Budapestit. Në këtë fshat fëmijërinë e ka kaluar kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Në Felcsut jetojnë disa prej njerëzve më të pasur në Hungari. Nga Felcsuti është klubi Pushkash Akademi, që mban emrin e legjendës Ferenc Pushkash. Klubi është themeluar në vitin 2005 nga Orbani me qëllim të promovimit të lojtarëve të rinj.

“Pancho Arena” quhet stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja mes Izraelit dhe Zvicrës. Stadiumi ka kapacitet prej gati 4000 ulëseve . “Pancho” ishte nofka e legjendës hungareze Ferenc Pushkash gjatë kohës te Real Madridi. Ky stadium është hapur në vitin 2014.

Zvicra është e dyta në grupin kualifikues me 15 pikë nga shtatë ndeshje. Izraeli është i treti me 11 pikë nga shtatë ndeshje. Udhëheq Rumania me 16 pikë nga tetë ndeshje. Më 18 nëntor, Zvicra e pret Kosovën, ndërsa Izraeli po në Felcsut të Hungarisë takohet me Rumaninë. Më 21 nëntor, Izraeli është mysafir i Andorrës, ndërsa Zvicra është mysafire e Rumanisë.

Zvicra kërkon kualifikimin e gjashtë rresht në një ngjarje të madhe. Granit Xhaka është kapiten i përfaqësueses, ndërsa Xherdan Shaqiri zëvendëskapiten.

“Jemi të vetëdijshëm që mund të arrijmë diçka, përkatësisht ta sigurojmë kualifikimin. Kemi lëshuar pikë në ndeshjet e kaluara dhe shpresoj se kemi marrë sinjalet e duhura. Por ende çdo gjë varet nga ne. Duam të luajmë futboll të bukur të mërkurën”, ka thënë selektori i Zvicrës, Murat Yakin.

Izraeli të dielën pësoi 1:0 nga Kosova në Prishtinë. Udhëtoi menjëherë për në Hungari. Ka zgjedhur këtë vend dhe fshatin e vogël për shkak të sigurisë.

Edhe Yakin për sfidën ndaj Kosovës: Jo më ndeshje vëllazërore Futboll Yakin për sfidën ndaj Kosovës: Jo më ndeshje vëllazërore

Yakin ka refuzuar të flasë në konferencë për shtyp për vendimin e Ardon Jasharit që t’i përgjigjet negativisht ftesës së Zvicrës U21.

“Nesër kemi ndeshje të rëndësishme. Jemi të fokusuar në këtë ndeshje. Me gjërat tjera do të merremi ndërkohë”, ka thënë Yakin.

Ai ka treguar se në portë ndaj Izraelit do të jetë Yann Sommer, ndërsa ndaj Kosovës, të shtunën në Basel, Gregor Kobel.