Përzgjedhësi i Zvicër, Murat Yakin, ka ftuar vetëm gjashtë mbrojtës për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024” ndaj Kosovës dhe Andorrës.
Tema e “zgjerimit” të repartit të mbrojtjes ka qenë prej kohësh aktuale në përfaqësuesen zvicerane. Në Kupën e Botës “Katari 2022”, diskutimi arriti kulmin kur mbrojtësi i djathtë, Silvan Widmer duhej të humbiste ndeshjen kundër Portugalisë dhe asnjë mbrojtës i krahut nuk ishte i disponueshëm si zëvendësues. Nëntë muaj më vonë, situata është përkeqësuar edhe më shumë. Widmer është përsëri jashtë për shkak të lëndimit. Dhe me Ricardo Rodriguezin, trajneri Yakin ka ftuar vetëm një mbrojtës krahu për ndeshjet e këtij muaji.
“Shpresat e së ardhmes”?
Mbrojtësit e tjerë të qendrës që janë thirrur deri më tani nga trajneri Yakin, i cili është në detyrë që nga gushti i vitit 2021, janë Kevin Mbabu, Jordan Lotomba, Ulisses Garcia, Michael Lang dhe Dominik Schmid. Megjithatë, të gjithë këta kohët e fundit janë shpërfillur për arsye të ndryshme. Shpesh, mungesa e ndeshjeve në klub ose një dëmtim ishte vendimtar që të mos merrnin ftesë. Dikur “shpresat e së ardhmes”, si mbrojtësi i majtë, Miro Muheim dhe mbrojtësit e djathtë, Silvan Hefti dhe Kevin Ruegg, të cilët janë të gjithë 25 vjeç, nuk janë thirrur ende. Ata ose nuk kanë minutazhë të mjaftueshme nëpër klubet e tyre (Hefti në Genoa, Ruegg në Verona) ose nuk luajnë në elitë (Muheim në Hamburg).
Problemi me pasardhësit
Mungesa e mbrojtësve të krahut është evidente edhe te të rinjtë. Në Kampionatin Evropian U-21, Beqir Omeragiq dhe Nicolas Vouilloz bënë secili nga dy paraqitje si mbrojtës të majtë, megjithëse në shumicën e ndeshjeve që i kanë luajtur për klubet e tyre, ata janë vendosur si qendërmbrojtës. Lewin Blum, i cili luajti si mbrojtës i krahut të djathtë në Evropianin U21, ishte në gjendje të vinte veten në qendër të vëmendjes për të siguruar një transferim te Young Boysi. Mirëpo, aktualisht ai mbetet zgjedhja e dytë, pasi titullar po preferohet Saidy Janko në klubin kampion.
Edhe
Yakini pret provokime në Kosovë
Përfundimi për mungesën e mbrojtësve të krahut mund të nxirret shumë shpejt. Për shkak se nuk ka asnjë mbrojtës të krahut, selektori Yakin duhet të improvizojë kur ka mungesa të tyre. Edimilson Fernandes, i cili u shndërrua nga mesfushor në qendërmbrojtës në Mainz, ka të ngjarë të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes, siç ka bërë në dy ndeshjet e fundit. Në të majtë, Renato Steffen ose Cedric Zesiger do të ishin zgjedhja e parë nëse Rodriguez do ta humbiste paraqitjen në njërën prej këtyre ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024”.
Në planin afatgjatë, Përfaqësuesja e Zvicrës ka nevojë sërish për më shumë alternativa. Megjithatë, Yakin nuk mund t'i nxjerrë ato nga kapela.