Tenisti gjerman Alexander Zverev ka luajtur me temperaturë, kollë dhe kishte vështirësi në frymëmarrje gjatë humbjes sot në rrethin e katërt të turneut Grand Slam “French Open” ka italiani Jannick Sinner. Kjo ka ngritur pyetje për protokollet për COVID-19 në Grand Slam, shkruan agjencia Reuters.
Zverev dukej se ishte sëmurë gjatë përballjes dhe po kollitej në fushë. Madje kërkoi edhe ndihmën e mjekut dhe trajnerit. Ai tregonte se po ka probleme me fyt dhe mori një tabletë më pas.
Zverev pas meçit tha se është sëmurë që nga meçi i rrethit të tretë me italianin Marco Cecchinato të cilin e luajti të premten.
“Unë isha plotësisht i sëmurë pas meçit me Cecchinaton. Çfarë të them? Jam plotësisht sëmurë. Nuk po mund të marrë frymë, keni mundur të dëgjoni zërin tim. Kisha temperaturë po ashtu. Ishte 38 gradë Celsius”, ka deklaruar Zverev raporton agjencia Reuters.
Direktivat e shtetit të Francës thonë se një person me simptome të COVID-19, si temperaturë mbi 38 gradë, kollë, dhembje fyti, muskujve e koke, si dhe humbje të shijes, duhet të izolohet për shtatë ditë dhe të kërkojë të testohet.
Sipas udhëzimeve të “French Open”, lojtarët testohen rregullisht për koronavirus, por Zverev nuk ka treguar se kur është testuar së fundi.
Zverev pësoi nga italiani 19-vjeçar Sinner me 3:1 në sete.
“Ai nuk ka dal pozitiv. Është testuar shumë herë dhe nuk kemi qenë afër. Ne kemi qenë në distancë. Nuk besoj se do të kem temperaturë në ditët e ardhshme, shpresoj të mos kem”, ka thënë Sinner.