Në Superligën e Zvicrës kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar. Por, Zuerichu ku luajnë shumë shqiptarë rrezikon rënien nga elita e futbollit zviceran.
Kjo skuadër ka dy ndeshje që nuk ka marrë pikët e plota. Madje në 10 ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm një fitore. Zuerichu është në vendin e shtatë me 40 pikë, St. Galleni në vendin e tetë ka 38 pikë, ndërsa Vaduzi e Sioni janë në vendin e parafundit dhe të fundit me 36 e 35 pikë.
Në xhiron e 35-të, Zuerichu do të luajë në udhëtim te Baseli, të shtunën në orën 20:30, kur edhe do të luhen të gjitha ndeshjet tjera.
Zuerichu mund të bjerë nga liga nëse nuk fiton në Basel, Vaduzi fiton kundër Servettes dhe kundër Zuerichut në ndeshjen e ndërsjellë, dhe nëse St. Galleni e fiton një nga dy ndeshjet e fundit.
Matematika tjetër që Zuerichu të bjerë nga liga është nëse humb në Basel, St. Galleni fiton tri pikë dhe Sioni e Vaduzi marrin gjashtë pikë nga dy duelet e mbetura.
Te Zuerichu luajnë Hekuran Kryeziu, Fidan Aliti, Benjamin Kololli, Lindrit Kamberi, Blerim Xhemaili e Toni Domgjoni. Pjesë e St. Gallenit është qendërmbrojtësi i Kosovës, Betim Fazliji. Edhe në ekipet tjera të elitës së futbollit zviceran ka shumë shqiptarë.