Sport

Zhegrova i dëshpëruar që do të largohet nga Baseli

Edon Zhegrova është i dëshpëruar që Baseli nuk ka shfrytëzuar opsionin për të transferuar atë.

Kështu të paktën ka thënë këshilltari i reprezentuesit të Kosovës në futboll. Zhegrova në fillim të vitit të kaluar ishte huazuar te Baseli nga skuadra belge, Genk. Baseli ka pasur kohë deri të martën të transferojë Zhegrovën për 3,3 milionë euro. Por nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi që nënkupton se lojtari i krahut në verë do të kthehet te Genku.

“Edoni është zhvilluar mirë te Baseli, ai do të dëshironte të mbetej te Baseli. Ne jemi të dëshpëruar me vendimin e atyre që ishin përgjegjës”, ka thënë këshilltari i Zhegrovës, Marc Van Osselaer.

Sipas tij nuk është e mundur më që Zhegrova të qëndrojë te Baseli pas përfundimit të këtij edicioni.

“Ai do të kthehet te KRC Genk pas përfundimit të stinorit. Ai ka me Genkun kontratë të vlefshme edhe për dy vite”.

Van Osselaer ka thënë se te Baseli do t’i bien pishman që nuk e kanë mbajtur Zhegrovën.

“Baseli do të përfitonte nga Edoni, nëse opsioni do të shfrytëzohej”.