Edon Zhegrova ka fituar së fundi besimin e drejtuesve të Baselit. Por klubi zviceran ende nuk ka vendosur nëse do t’i ofrojë kontratë reprezentuesit kosovar.
Zhegrova para një viti ishte huazuar te Baseli nga Genku belg, ndërsa huazimi te klubi zviceran i përfundon më 30 qershor. Baseli e ka opsionin për të transferuar 20-vjeçarin, por nuk ka vendosur ende nëse do të bëjë këtë. Këtë e ka bërë të ditur të enjten sajti “4-4-2.com”.
“Sipas burimeve të 4-4-2, nuk ka ndonjë vendim të Baselit për bashkëpunim afatgjatë me Zhegrovën. Thuhet se klauzola për transferimin e plotë të tij është 3,3 milionë euro. Zhegrova po ndjehet shumë mirë te Baseli”, ka shkruar ky sajt.
Përfaqësuesit e Zhegrovës nuk e dijnë nëse për të ka interesim të klubeve tjera, transmeton Koha.net.
"Gjëja më e rëndësishme është që të luajë dhe të zhvillohet hap pas hapi”, ka thënë përfaqësuesi i Zhegrovës, Marc Van Osselaer.