Sulmuesi kosovar, Baton Zabërgja do ta vazhdojë karrierën në Superioren e Shqipërisë. Zabërgja, të enjten është prezantuar te skuadra e Dinamos nga Tirana.
Ai do të jetë pjesë e këtij ekipi për edicionin 2023/24, pasi ka bindur drejtuesit e klubit gjatë fazës përgatitore në Itali.
Zabërgja 22-vjeçar, së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Gjilanit, ndërsa në Kosovë ka luajtur edhe për Drenicën e Vushtrrinë.
“Zabërgja iu bashkua ekipit në fazën përgatitore që u zhvillua në Itali, ndërsa tani është zyrtarisht pjesë e Dinamos për sezonin e ri”, ka shkruar Dinamo në njoftimin e lëshuar.
Edicionin e shkuar, Zabërgja regjistroi 39 paraqitje për Gjilanin në të gjitha garat, ku shënoi 5 gola dhe bëri 6 asistime.