Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Yllin e Bayernit e dërgon e ëma në stërvitje, pasi nuk ka patentë e as veturë

Ylli i ri i Bayern Munichut, Jamal Musiala, ka zbuluar se nëna e tij duhet ta dërgojë çdo ditë në stërvitje me veturë, ndërsa 18-vjeçari po punon për marrjen e patentës së shoferit. Musiala ka pranuar se gjithashtu nuk posedon as veturë personale dhe për këtë arsye e ëma e tij është angazhuar në këtë drejtim.

“Deri më tani kam qenë shumë i lumtur që mamaja ime ka qenë aq e kuptueshme, saqë më ka shtyrë të punoj shumë dhe kujdeset për të më dërguar në stërvitje me veturën e saj”, ka pranuar Musiala të mërkurën për revistën “Sport Bild”. “Unë tashmë kam filluar të mbaj orët që të pajisem sa më shpejt me patentë shofer dhe pres që së shpejti ta vozis veten duke mos e angazhuar më të ëmën”.

Të premten e kaluar Musiala firmosi kontratë pesëvjeçare - e para e tij si profesionist - me kampionin në fuqi të Bundesligës, Bayern, që e përshkroi si një “ëndërr fëmijërie të realizuar”.

Vetëm një javë pas ditëlindjes së tij të 18-të Musiala nënshkroi marrëveshjen, e cila thuhet se do t'ia sjellë atij pesë milionë euro në vit.

Futbollistët e Bayernit marrin secili nga një veturë të siguruar nga sponsori i klubit. Mirëpo Musiala thotë se nuk e ka idenë se cila veturë do t'i jepet për shkak se ende nuk e ka patentën. Ai nuk e ka problem se çfarë veture do të jetë ajo “për sa kohë që ai e vozit dhe ka një sistem të mirë muzikor”.

Edhe Musiala shkon në Katar në top-formë Sport Musiala shkon në Katar në top-formë

Adoleshenti deri më tani ka bërë 27 paraqitje për liderin aktual të kampionatit gjerman. Ai shënoi golin e tij të parë në Ligën e Kampionëve në fitoren e Bayernit ndaj Lazios 4:1, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të zhvilluar javë më parë në Romë. Ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet javën tjetër në Munich dhe Musiala shpreson që sërish të ketë mundësinë të regjistrohet në listën e golashënuesve.

Musiala, i lindur në Stuttgart, u zhvillua si futbollist përmes akademisë së Chelseat dhe luajti për ekipin U21 të Anglisë nëntorin e kaluar. Por mesfushori tani ka vendosur që në nivelin senior ta përfaqësojë Gjermaninë.

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, i cili do të largohet pas kampionatit Evropian në muajin korrik, thuhet se ka në plan ta thërrasë Musialan për ndeshjet eliminatore të Botërorit “Katari 2022”, që do të luhen më vonë këtë muaj. Musiala pranon se synimi i tij është të ketë suksese si me fanellën e Bayernit ashtu edhe atë të Gjermanisë.

“Synimet e mia janë të mëdha, të fitoj tituj me Bayernin dhe Gjermaninë. Shpresoj të jem i suksesshëm në këtë aspekt”, është shprehur Musiala.

Edhe Jamas Musiala, xhevahiri adoleshent në mesfushën e Bayernit Sport Jamas Musiala, xhevahiri adoleshent në mesfushën e Bayernit

Musiala gjithashtu shpreson që përzgjedhësi Loew të ndryshojë vendimin e tij të vitit 2019 dhe ta kthejë Thomas Muellerin në ekip, në mënyrë që ai të jetë në gjendje të luajë përkrah shokut të tij te Gjermania.

“Do të isha i lumtur të luaja në Kampionatin Evropian të këtij viti me Thomasin”, shtoi Musiala.