Golden Eagle Ylli e synon fitoren e 12-të rresht këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll, pasi të mërkurën përballet me Ponte Prizrenin. Kjo ndeshje është e mbetur dhe i takon xhiros së 11, ndërsa zhvillohet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë prej orës 17:00.
Aktualisht, Ylli është në një seri fantastike, ku i ka fituar 11 ndeshjet e fundit derisa Ponte Prizreni po kërkon fitoren e parë pas katër humbjeve rresht.
Ponte zë vendin e parafundit në tabelë me 22 pikë, ndërsa Ylli është i treti më 26 pikë të mbledhura.
Të mërkurën, por prej orës 19:00, do të zhvillohet edhe një ndeshje e mbetur, por e xhiros së 15-të.
Në këtë duel, që luhet në kryeqytet, Sigal Prishtina do të përballet me skuadrën e Pejës.
Peja është lidere me 28 pikë, një më shumë se Prishtina që zë vendin e dytë. Prishtina është në një seri prej gjashtë fitoreve radhazi, ndërsa Peja vikendin e shkuar u mposht në shtëpi nga Ylli.