Sport

Ylli shënon fitoren e dytë rresht, mposht Istogun

Golden Eagle Ylli e ka shënuar fitoren e dytë rresht në elitën e basketbollit të Kosovës. Ylli të enjten ishte në cilësinë e mysafirit, por luajti në palestrën “13 Qershori” në Suharekë kundër Istogut dhe fitoi thellë 133:63.

Ndeshja i ka takuar xhiros së 23-të të Superligës së Basketbollit të Kosovës. Gjashtë basketbollistë të Yllit shënuan pikë dyshifrore të enjten, ndërsa më së shumti pati Alonzo Verge Jr, që shënoi 21 pikë, një kërcim e shtatë asistime. Edhe Aaron Jones pati lojë të mirë me dyshifror të dyfishtë prej 15 pikëve, 13 kërcimeve, ndërsa kontribuoi edhe me dy asistime. Jan Palokaj shënoi 16 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.

Tek Istogu, më i dalluari në këtë disfatë ishte Arian Azemi me 22 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.

Ylli pas 23 ndeshjeve ka 14 fitore e nëntë disfata, ndërsa ka 37 pikë në vendin e tretë. Të njëjtat statistika i ka edhe Sigal Prishtina në pozitën e katërt. Istogu ndërkohë është i fundit me 24 pikë. Ka vetëm një fitore e 22 humbje.