Fundori amerikan, Elyjah Clark, kur iu bashkua Golden Eagle Yllit e kishte një synim të qartë - ta fitojë titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Ky titull eventual do të jetë i pari si për Yllin ashtu edhe për Clarkun si lojtar profesionist.
Në fakt, Golden Eagle Ylli është vetëm një fitore larg titullit për këtë edicion. Skuadra suharekase po avancon në serinë finale të plejofit ndaj skuadrës së Pejës me rezultatin 2:0 në fitore. Ndeshja e tretë ndërmjet këtyre dy ekipeve do të luhet të martën mbrëma në Pejë (20:15) dhe Clarku shpreson që me bashkëlojtarët të festojnë në palestrën “Karagaçi” titullin e parë në histori të Yllit. Yllit i duhet vetëm edhe një fitore për ta siguruar titullin.
Clark 23-vjeçar ishte njëri prej më të dalluarve në ndeshjet e plejofit tek Ylli dhe ndihet gati për ta ndihmuar ekipin edhe në ndeshjen e radhës. Ylli pjesën e rregullt të këtij edicioni e mbylli në pozitën e tretë. Në plejof e eliminoi Bashkimin në çerekfinale, derisa në gjysmëfinale ishte më i mirë se Rahoveci.
“Jam i gatshëm edhe për ndeshjen e tretë, në të cilën pres të japim më të mirën nga vetja dhe të fitojmë. Megjithatë, do të shohim sepse kjo seri e finaleve nuk ka qenë aspak e lehtë përballë Pejës që ka një ekip të fortë”, është shprehur Clarku të hënën.
“Prej fillimit kam besuar se mund ta fitojmë titullin, i cili do të jetë i pari si për mua ashtu edhe për klubin. Do të ishte diçka tejet e veçantë për mua, duke pasur parasysh se ky është viti im i parë si profesionist në Evropë”.
Clarku nuk ishte pjesë e Yllit prej fillimit të këtij edicioni. Ai iu bashkua Yllit në ditët e para të janarit nga Turqia, saktësisht ekipi i kategorisë së dytë, Ankara Anadolu Basket për të cilin kishte pasur një mesatare prej 20 pikëve për ndeshje.
Tek Ylli, Clarku ka dhënë kontribut të vlerësuar në 18 ndeshje që i ka luajtur deri më tani në Superligë. Clarku ka 13 pikë për ndeshje, 3.4 kërcime dhe 2.9 asistime.
“Derisa isha në Turqi më erdhi oferta nga Ylli, kështu që agjenti im u mor me të gjitha detajet dhe unë iu bashkova një ekipi që kishte synime të mëdha. Në të vërtetë synimet i kishim të përbashkëta për shkak se unë synoj që me secilin ekip të fitoj trofe. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për karrierën time që sapo ka nisur. Megjithatë, të fitoj trofe në vitin tim të parë është diçka fantastike që ndoshta nuk e kam paramenduar”, është shprehur Clarku. “Mund të them se Superliga e Kosovës nuk është e dobët, ndonëse i duhen disa përmirësime. Me sa kam vërejtur ky sezon ka qenë shumë i fortë ku të gjitha ekipet ishin të përforcuara dhe kampionati në përgjithësi ishte shumë interesant”.
Ylli tashmë e ka fituar një trofe, atë të turneut të Ligës Unike që këtë edicion u mbajt për herë të parë. Ndërkohë pësoi humbje në finalen e Kupës së Kosovës, garë që e humbi edhe edicionin e shkuar. Mirëpo, Clarku thotë se titulli i kampionit do ta kompensojë finalen e humbur nga Sigal Prishtina.
“Nëse marrim edhe titullin e kampionit, atëherë mund të them se ky edicion ia ka vlejtur shumë për mua. Gjithashtu, ia ka vlejtur edhe transferimi tek Ylli pasi tashmë e kemi fituar një trofe dhe po luftojmë për titullin e kampionit, trofe që jemi larg vetëm një fitore për ta rrëmbyer. Ky trofe do të jetë historik edhe për klubin dhe gjithashtu tifozët e qytetin, të cilët më kanë mirëpritur prej ditës së parë”, ka shtuar Clarku. “Mendoj se kemi mësuar shumë nga humbja në finalen e Kupës dhe kjo na ka ndihmuar shumë në garat e plejofit. Jam optimist që sezonin do ta mbyllim me trofe”.
Clarku shquhet që gjuajtjet e lira i bën në mënyrë të veçantë. Asnjë basketbollist i elitës së basketbollit kosovar nuk gjuan sikurse Clarku nga gjuajtjet e lira. Ai gjuan vetëm me një dorë, të majtën, dhe tregohet shumë preciz.
“Thjesht ashtu e bëj dhe kjo gjuajtje po tregohet efikase për mua. Kështu që do të vazhdoj të bëj gjuajtjen me një dorë nga gjuajtja e lirë”, insistoi Clarku.
Krahas basketbollistëve të huaj, skuadra e Yllit këtë edicion ka bërë ndryshime të shumta edhe në trajnerë. E nisi me Dragan Radoviqin, i cili tani është trajner i Pejës, për të vazhduar me turkun Fatih Gezer dhe për ta përmbyllur me Adis Beçiragiqin. Beçiragiqi edicionin e shkuar e fitoi Kupën e Kosovës me skuadrën e Pejës, duke e mposhtur në finale pikërisht Yllin. Ylli në fillim të këtij viti ka transferuar edhe reprezentuesit e Kosovës, Erjon Kastratin e Gëzim Morinën.