Golden Eagle Ylli po udhëheq në Superligën e Kosovës në basketboll. Por skuadra nga Suhareka nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga pozita e parë. Ndonëse Ylli vlerësohej ekip i kompletuar, drejtuesit e klubit kanë vendosur për të angazhuar edhe një basketbollist të huaj. Bëhet fjalë për qendrën Makol Mawien.
“Makol Mawien i bashkohet rrugëtimit tonë për titullin kampion”, shkruan në njoftimin e Yllit.
Fotografia e publikuar nga klubi suharekas dëshmon se bëhet fjalë për një basketbollist gjigant. Mawien luan nën kosh, ndërsa është i gjatë 206 centimetra. Është i lindur në Egjipt, ndërsa ka shtetësi të Sudanit Jugor.
Shkollimin e ka kryer në SHBA. Së fundi Mawien ishte pjesë e skuadrës nga Arabia Saudite, Al Nasr. Në tetë ndeshje ka luajtur me mesatare prej 21.1 pikëve e 13.4 kërcimeve. Mawien basketbollin e mësoi në Granger High School, New Mexico Junior College dhe University of Kansas State në SHBA.
Karrierën profesionale 25-vjeçari e filloi në janar të vitit të kaluar. E luajti një ndeshje për Levskin e Sofjes, ndërsa menjëherë në muajin shkurt u transferua te Kipina Aenokoski në Finlandë. Në shtatë ndeshje luajti me mesatare prej 12.7 pikëve e 11.6 kërcimeve.
“Është lojtar kulmor që besojmë se do të na ndihmojë në rrugëtimin tonë drejt synimeve që janë të qarta prej fillimit. Presim që ta bëjë dallimin. Nuk jemi ngutur shumë. Ekipi ka funksionuar për mrekulli pas një mini-krize në fillim. Por, duke menduar në shtigje më të gjata, është dashur ta kompletojmë ekipin, pasi të gjitha ekipet kanë pësuar ndryshime në janar. Tash të shohim si do të paraqitet në parket. Çelësi ynë është harmonia e krijuar në ekip dhe grupi i lojtarëve që kemi në dispozicion”, ka theksuar Agron Berisha, drejtor sportiv i Yllit.
Ylli të shtunën e mposhti Bashkimin me 78:61. Fitore të thellë ka shënuar edhe ndaj Trepçës në Mitrovicë.
Ylli bazohet shumë në lojën e tre reprezentuesve të Kosovës, Erjon Kastrati, Gëzim Morin e Mikaile Tmushiq. I rëndësishëm është edhe kroati Henrik Shirko, ndërsa amerikanët Cameron Williams e AJ Sumbry kanë kontribuar më pak.