Sport

Ylli angazhon ish-lojtarin e të rinjve të Gjermanisë

Besnik Bekteshi është basketbollist i ri i Golden Eagle Yllit. Bekteshi është 30-vjeçar, ndërsa ka karrierë të gjatë në basketbollin e Gjermanisë. Madje vlerësohej talent i madh në Gjermani, por më pas ka pasur telashe me lëndime, që e kanë frenuar.

Ai ka luajtur për grupmoshat e reja të Gjermanisë, U17, U18 e U20. Kishte shkëlqyer në Botërorin U17, ndërsa me U18 dhe U20 ishte paraqitur në Evropian. Por, kjo ishte mbi një dekadë më parë.

Bekteshi është nga Ferizaj, ndërsa ka luajtur vetëm në basketbollin gjerman.

Thuajse gjithë karrierën e ka kaluar në kategorinë e dytë gjermane, por ishte edhe në Bundesligë. Në Bundesligë është paraqitur me skuadrat Riesen Ludwigsburg dhe Rasta Vechta, së fundi në edicionin 2016/17. Prej atëherë ka luajtur vazhdimisht në kategorinë e dytë gjermane. Ishte edhe te skuadrat Kirchheim Knights, Giessen 46ers, RheinStars Koln, Tigers Tubingen. Në dy edicionet e kaluara luajti për Kirchheim Knights në nivelin e dytë të basketbollit gjerman.

Në edicionin e kaluar luajti mesatarisht 18 minuta për ndeshje. Kishte mesatare prej 4,8 pikëve dhe një asistimi. Ishte paraqitur në 27 ndeshje për Kirchheimin. Në edicionin 2021/2022 kishte mesatare prej 9,2 pikëve dhe luajti 25 ndeshje. Pra, ka kontinuitet të lojërave dhe pritet të jetë i vlefshëm për Golden Eagle Yllin.

Ka kohë që basketbolli kosovar përballet me mungesë të lojtarëve vendorë. Dhe skuadrat angazhohen për të gjetur lojtarët nga Kosova që luajnë në nivele të ndryshme në vendet e tjera. Edhe natyralizimi, shpesh i dyshimtë ka qenë vazhdimisht trend.

Ylli i Suharekës ka angazhuar edhe qendrën Arbër Berisha, që ka qëndruar gjatë në Turqi. Është përforcuar edhe me Etnik Pecin, ndërsa ka vazhduar me Henrik Shirkon, Valon Bunjakun, Drilon Shalën dhe kapitenin Gëzim Morina.

Pas dy titujve rresht, Ylli vjet humbi primatin në basketbollin kosovar. Tani po formon skuadër me synim për t’u kthyer te trofetë.

Me përforcime kanë nisur edhe skuadrat e tjera, sidomos Sigal Prishtina e Peja.