Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi, dy nga yjet e Superligës së Kosovës që u paraqitën në ndeshjen me Zvicrën, janë shprehur të kënaqur me barazimin që arritën ndaj Zvicrës në Bazel të shtunën në ndeshjen kualifikuese ndaj “Euro 2024”.
“Duhet të jemi të kënaqur, duke marrë parasysh me çfarë ekipe luajtëm, me lojtarë të top-ligave. Ndoshta mund të merrnim më shumë, por duhet të jemi të kënaqur. Jemi profesionistë të gjithë. Hyjmë çdo ndeshje për të fituar. Jemi të kënaqur me barazim. Shpresojmë ta tregojmë veten e të arrijmë sa më larg”, ka thënë Dellova i Ballkanit.
Ndërsa Ilir Krasniqi është shprehur i lumtur që bashkëlojtari i tij te Llapi, Muhamet Hyseni, shënoi golin për Kosovën në debutim.
“E dimë se është e vështirë dhe lojtarët e Zvicrës luajnë në top-liga. Gëzohem për të gjithë. Por këtë herë më shumë dhe shpresoj që Muhameti do ta ketë një sezon fantastik edhe me ne. Ishte ndeshje e vështirë duke ditur se kemi pasur edhe mungesa. Jemi munduar të bëjmë më të mirën tonë dhe shpresojmë të kemi rezultate të mira”, ka thënë Krasniqi.