Mesfushori i Bregut të Fildishtë që luan me Manchester Cityn, Yaya Toure, do të largohet në fund të sezonit nga skuadra angleze. Lajmin për ikjen e tij e ka konfirmuar vetë trajneri spanjoll i ekipit, Pep Guardiola.
“Yaya nuk do të qëndrojë në sezonin e ardhshëm. Ndeshja kundër Brightonit, do të jetë njëra ndër lamtumirat më të bukura që një lojtar mund ta ketë. Do të fokusohemi të fitojmë për Yayan”, ka deklaruar Guardiola, transmeton KTV.
Toure iu bashkua Cityt nga Barcelona, kur Guardiola e drejtonte Barçën në atë kohë në vitin 2010-të, por sezonin e fundit mungoi në gjysmën e sezonit për shkak të problemeve të tij dhe menaxherit Dimitri Seluk me spanjollin.
Mesfushori i cili muajin e ardhshëm do të bëhet 35-vjeçar, ka luajtur në 229 ndeshje në Premier League për tetë vite qëndrim, por vetëm nëntë në këtë sezon. Ai ka fituar dy tituj të ligës, një FA Cup dhe dy Kupa të Ligës me Cityn.