Duelet e Kosovës me Zvicrën pritet të ngjallin shumë interesim, sidomos te shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Kosova e Zvicra kanë shumë gjëra të përbashkëta që lidhen me futbollin dhe tani për herë të parë do të përballen në ndeshje zyrtare.
Kosova e Zvicra janë në Grupin I të kualifikimeve për Euro 2024. Shorti për këto kualifikime është tërhequr të dielën në Frankfurt. Evropiani mbahet në Gjermani, ndërsa në Grupin I janë edhe Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra. Në short Zvicra ishte në vazon e parë, ndërsa Kosova në vazon e katërt.
Kështu që, të paktën në letër, Zvicra është favorite e madhe ndaj Kosovës. Por selektori i Zvicrës, Murat Yakin, e di që ekipin e tij e presin dy ndeshje të vështira me Kosovën. Eliminatoret për Evropianin e vitit 2024 mbahen gjatë vitit të ardhshëm, përkatësisht prej marsit e deri në nëntor. Kosova do t’i ketë nga dy ndeshje në mars, qershor, shtator, tetor dhe nëntor.
Yakin është shprehur i lumtur që Zvicra është në grup me Kosovën.
“Jemi shumë të lumtur që luajmë së bashku me Kosovën në grup. Do të jetë duel mes miqve”, ka thënë Yakin për KOHËN, pak pas tërheqjes së shortit.
Dy lojtarët kryesorë të tij janë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Xhaka është kapiten i Zvicrës, ndërsa Shaqiri zëvendës-kapiten. Ata pritet të jenë bartës të lojës së Zvicrës në Botërorin e këtij viti.
Ardon Jashari është ftuar së fundmi, ndërsa edhe ndonjë shqiptar tjetër mund të bashkohet me Zvicrën pas Botërorit. Kastriot Imeri e Andi Zeqiri tashmë kanë debutuar dhe janë pranë Përfaqësueses.
Shumë prej lojtarëve të Kosovës kanë të kaluar te Zvicra dhe luajnë në këtë vend. Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Hekuran Kryeziu dhe Donat Rrudhani luajnë në Zvicër, ndërsa të kaluar në shtetin helvetik kanë Arijanet Muriq, Florent Hadërgjonaj, Betim Fazliji, Toni Domgjoni e ndonjë tjetër.
“Unë dhe lojtarët e mi kemi shumë miq kosovarë. Shumë lojtarë nga Kosova luajnë në Zvicër. Është një komunitet i madh kosovar në Zvicër, kështu që është gjë e madhe për ta, po ashtu”, ka shtuar Yakin.
Ai tashmë ka parë nga afër nivelin e Kosovës. Zvicra e Kosova më 29 mars kanë luajtur baras, 1:1, në miqësoren në Zuerich.
“Në aspektin sportiv, është sfidë e madhe”, thotë Yakin. “Këtë e kemi parë në ndeshjen miqësore të zhvilluar në muajin mars”.
Zvicra po paraqitet rregullisht në ngjarjet e mëdha të futbollit. Dhe vlerësohet favoritja kryesore e grupit për kualifikim në Evropianin që mbahet në Gjermani. Kualifikimin e synon edhe Kosova.