Sport

Xhudoja e para, futbolli kthehet në pozitën e dytë, noti bie në kategorinë C

Ka pësuar ndryshime të konsiderueshme renditja e federatave sportive kosovare. Komiteti Olimpik i Kosovës të martën ka publikuar rezultatet e kategorizimit të sporteve për vitin 2023. Sporti numër një vazhdon të jetë xhudoja, ndërsa futbolli është kthyer në pozitën e dytë.

Futbolli vjet ishte në pozitën e gjashtë, përkatësisht të fundit në kategorinë A. Rënien nga pozita e dytë në të gjashtën e kishte pësuar për shkak se FFK-ja nuk kishte dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm në Komisionin e KOK-ut.

Hendbolli është ngritur në pozitën e tretë, ndërsa pas tij janë volejbolli dhe basketbolli. Karateja është e pesta, ndërsa në kategorinë A ka bërë vend edhe boksi.

“Tani jemi aty ku e kemi vendin, në kategorinë A”, ka thënë Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.

Vjet renditja në kategorinë A ishte: xhudoja, volejbolli, karateja, hendbolli, basketbolli, futbolli.

Është vendosur nga KOK-u që xhudoja dhe futbolli të poentohen me nga 100 pikë. Në bazë të vlerësimit të Komisionit, asnjëra prej federatave nuk ka arritur në shifrën maksimale të pikëve.

“Me rekomandim të komisionit përkatës dhe miratim të bordit ekzekutiv (të KOK-ut v.j.), federata me dy medalje të arta olimpike, ajo e xhudos, dhe federata më masive në vend, ajo e futbollit, janë rekomanduar me maksimumin e pikëve, 100”, shkruan në njoftimin e KOK-ut.

Federatat janë ndarë në katër kategori të ndryshme. Në bazë të kategorizimit bëhet edhe mbështetja e federatave sportive nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas procedurës, MKRS-ja cakton vlerën e pikës së kategorizimit, që shumëzohet me pikët e fituara dhe kështu përcaktohet shuma e mbështetjes. Por jo gjithnjë mbështetja e federatave nga MKRS-ja bëhet në bazë të kategorizimit. Ka raste kur ai anashkalohet.

E para në kategorinë B është Federata e Sportit Shkollor. Pas saj në B janë atletika, pingpongu, mundja, sporti universitar, gjimnastika, skitaria, bjeshkataria dhe tenisi.

Federata e Notit ka rënë në kategorinë C dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e ndarjes së komunitetit të notit në dy grupe. Deri më tani noti ka qenë në kategorinë B, ndërsa tani është në kategorinë C. Madje është ranguar pas autosporteve dhe shenjëtarisë sportive. Noti ka pësuar rënien e madhe pasi për bazë janë marrë vetëm të dhënat e njërit grup, atij që drejton federatën sipas MKRS-së dhe KOK-ut.

Triatloni, shahu, kajakimi, badmintoni, çiklizmi, aeronautika, taekwondo, shigjetaria, ragbi, bodibildingu, golfi, peshëngritja, boulingu dhe motoçiklizmi janë po ashtu në kategorinë C.

Kurse në kategorinë D janë Federata Sportive e Punëtorëve të Kosovës, Federata e kikboksit, muaythait, bilardos, mundjes së krahut, pikados, padelit dhe e-sporteve (sporteve elektronike).

Pos sporteve janë kategorizuar edhe sportistët dhe trajnerët për vitin 2023.

Komiteti Olimpik i Kosovës për herë të fundit ka bërë kategorizimin e sporteve. Në bazë të rregullores së re të MKRS-së për kategorizimin e sporteve, këtë proces tani e tutje do ta bëjë ministria.

“Komisioni i vlerësimit emërohet nga sekretari i përgjithshëm i MKRS-së. Komisioni përbëhet nga dy anëtarët të Departamentit të Sportit, dy anëtarë të Departamentit Ligjor, një anëtar nga Divizioni për Buxhet dhe Financa”, shkruan në rregulloren e re të miratuar në fund të dhjetorit.

Kategorizimi i sporteve bëhet në bazë të kritereve të shumta si organizimi i garave ndërkombëtare, rezultatet në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, gjithëpërfshirja, popullariteti, tradita e sportit, ngritja e kapaciteteve, aktivitetet vendore.