Sport

Xhudistët sjellin medalje, por nga Sllovenia

Xhudistët e Kosovës nuk janë pjesë e Lojërave Evropiane që të dielën përfundojnë në Poloni. Dhe Kosova për herë të parë mbeti pa medalje në ngjarjen shumësportëshe kontinentale.

Gara e xhudos në Lojëra Evropiane është ajo e Kampionatit Evropian për ekipe të përziera. Dhe Kosova vendosi të mos marrë pjesë.

Të shtunën xhudistët e rinj të Kosovës janë paraqitur në Kupën Evropiane për juniorë në Slovenj Gradec të Sllovenisë. Prej atje do të kthehen me medalje.

Medalje të bronztë ka fituar Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë. Ai nisi me fitore ndaj një xhudisti nga Italia. Më pas humbi nga një hungarez, por fitoi rastin përmes repesazhit. Shënoi edhe katër fitore të tjera për ta siguruar medaljen e bronztë. Mposhti xhudistë nga Bullgaria, Çekia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kazakistani.

“Dardani duhet ende të përmirësojë gabimet në kapje e ‘ne waza’ për të vazhduar tutje në nivelin elitar”, ka shkruar trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Në të njëjtën kategori, Loris Sharapolli u ndal në luftën e dytë.

Në kategorinë deri 60 kilogramë, Muhamedin Veseli humbi duelin e parë. Por në repesazh rreshtoi tri fitore dhe kështu arriti te lufta për medalje të bronztë. Megjithatë humbi nga një armen dhe u rendit i pesti.

Në kategorinë deri 66 kg, Muharrem Hyseni humbi luftën e parë, fitoi të dytën, por pësoi sërish në luftën e tretë. Në të njëjtën kategori, Dion Sharapolli shënoi një fitore, derisa humbi në luftën e dytë.

Te xhudistet garoi vetëm Debora Gjakova, motra e Nora dhe Akil Gjakovës. Debora, që ende po merr përvojë në garat ndërkombëtare, fillimisht e kaloi një kroate në kategorinë deri 63 kilogramë. Por u ndal në luftën e dytë nga një xhudiste e Ukrainës.

“Muhamedin Veseli befasoi me paraqitje të mirë. Fitoi vendin e pestë dhe tregoi që ka të ardhme nëse vazhdon të punojë seriozisht. Garuesit e tjerë nuk ishin afër medaljeve. Kështu rritja e ekipit po vazhdon. Shpresoj që të vazhdojmë të fitojmë medalje edhe më tutje”, ka shkruar Kuka.

Të dielën garon Anes Veseli.