Sport

Xhudistët rusë mbesin në gara, paraqiten me flamurin e IJF-së

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka vendosur që të mbajë në gara xhudistët nga Rusia. Me gjithë rekomandimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që sportistët nga Rusia dhe Bjellorusia të largohen nga garat, IJF-ja ka vendosur që mos të përjashtojë sportistët rusë.

Nuk është hera e parë që IJF-ja nuk iu përmbahet plotësisht rekomandimeve të IOC-së. Nën drejtimin e Marius Vizerit, IJF-ja është forcuar goxha shumë dhe ka krijuar autoritet që tashmë vlerësohet.

Rusët vlerësohen me ndikim të madh në sportin ku Kosova tashmë është superfuqi, ndonëse me numër të vogël garuesish.

IJF-ja javën e kaluar pezulloi statusin e Vladimir Putinit si President Nderi dhe Ambasador i IJF-së. Të martën Federata Botërore e Xhudos ka marrë masa shtesë, por ka vendosur që rusët të mbesin në gara. Ata do të paraqiten me flamurin e IJF-së.

“Javën e kaluar, pas konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës, Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka sanksionuar Federatën e Xhudos së Rusisë duke anuluar Grand Slamin e Kazanit, të planifikuar për 20-22 maj. Në vazhdën e kësaj, IJF-ja tani ka anuluar të gjitha garat e xhudos në territorin e Federatës Ruse”, ka njoftuar IJF-ja.

Por IJF-ja ka qëndrim më të ndjeshëm kur bëhet fjalë për sportistët.

“Pasi ngjarjet sportive dhe sporti vetë promovon paqen dhe solidaritetin në botë, ne konsiderojmë që sportistët që marrin pjesë në ngjarjet ndërkombëtare sportive promovojnë paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar. Në bazë të kësaj, vendimi global për të sanksionuar të gjithë sportistët rusë, pavarësisht nga mendimet e ndryshme që kanë shprehur shumë njerëz, nuk konsiderohet i justifikuar. Çdo vendim radikal për të penguar pjesëmarrjen e sportistëve në garat vetëm sa do të vazhdonte përshkallëzimin e dhunës dhe do të ushqente ndjenjën e padrejtësisë për ata sportistë që nuk morën pjesë në asnjë vendim lidhur me konfliktin. Nuk mund të dënojmë sportistët për atë që po ndodhë”, është qëndrimi i IJF-së.

Rrjedhimisht, IJF-ja ua ka dhënë mundësinë sportistëve rusë të marrin pjesë në ngjarjet e saj, me flamur, stemë dhe himn të Federatës Botërore të Xhudos. IJF-ja konsideron se vendimi është në vijë me Kartën Olimpike dhe principet bazë të saj si dhe me vendimet që IJF ka marrë më herët gjatë konflikteve tjera.

“Ne mund të vazhdojmë t’i drejtojmë të gjithë xhudistët nga Rusia në rrugën e duhur dhe t’i mbajmë larg çdo mundësie për të zgjedhur rrugë kundër parimeve të tyre morale, marrë në konsideratë profilin luftarak të sportit tonë si dhe vlerat e tij. Inkurajojmë sportistët rusë që të bisedojnë me miqtë e tyre xhudistë nga e mbarë bota. Të udhëtojnë dhe të promovojnë, brenda dhe jashtë vendit, vlerat olimpike dhe parimet e xhudos për ndihmë të ndërsjellë dhe për prosperitet”, shkruan IJF-ja.

Në të kaluarën edhe xhudistët e Kosovës janë paraqitur me flamur të IJF-së. Dhe atë pikërisht në Rusi dhe në disa vende të tjera. Para pranimit të Kosovës në IJF, një prej mënyrave për të thyer izolimin ndërkombëtar ishte paraqitja me IJF-në.

IJF-ja dhe presidenti i saj, Marius Vizer, kanë përkrahur fuqishëm procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. Madje ndikimi i Vizerit vlerësohet i madh edhe për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.