Sport

Xhudistët kosovarë deklarohen pas suksesit në Evropian

Kosova synoi medalje për Kampionatin Evropian për kadet në Lituani dhe një gjëje të tillë ia arriti. Shpat Zeka dhe Laura Fazliu triumfuan për medaljet e bronzta, dhe me sukses e përfunduan këtë garë, e nga ana tjetër, Erza Muminoviq u mposht në luftën e parë.

17-vjeçari Zeka që garoi në kategorinë deri në 90 kg, e nisi rrugën e të bronztës me humbje nga xhudisti gjeorgjian, Bekauri Mikheili, raporton TCH.

Mirëpo, në repesazhë, Shpati u këndell dhe i filloi fitoret e njëpasnjëshme. Së pari e mposhti francezin Evan Courties me një Wazzari e një Ippon.

Në ndeshjen e tretë, Zeka u ndesh me rusin Said Gadzhiev, dhe e fitoi luftën me një Wazzari.

Csaba Toth ishte viktima e radhës për xhudistin premtues nga Kosova, të cilin Zeka e mposhti me Ippon.

Dhe në luftën finale për vendin e tretë dhe medaljen e bronztë, Zeka u tregua më i suksesshëm se estonezi Simon Sulla, duke triumfuar me një Wazzari e një Ippon, për t’u ngjitur më pas në podium.

Kosova të bronztën e mori edhe në konkurrencën e femrave me Laura Fazliun.

Fazliu që garon në kategorinë deri në 63 kg, në luftën e parë e mposhti greken Zoe Spyropoulou me Ippon.

Garuesja premtuese e xhudos e vazhdoi formën e mirë edhe përballë Stine Marie Roesaeg nga Norvegjia, duke triumfuar me dy Wazzari.

Mirëpo, Fazliu u mposht në luftën e tretë nga sllovenia Zarja Tavcar, kurse në repesazhë shënoi fitore ndaj spanjolles Irene Hernaez Camus, me një Wazzari e një Ippon.

Në përballjen e pestë, Laura e mposhti bullgaren Lidia Brancheva me një Wazzari e një Ippon, kurse në podium me medalje të bronztë u ngjit pasi në luftën e gjashtë doli më e suksesshme edhe se Anneta Mosr nga Luksemburgu, pas një Wazzari e një Ipponi.

Përfaqësuesja e Kosovës e pati edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri në 44 kg, por që dështoi të triumfonte pasi u mposht me Wazzari që në luftën e parë nga francezja Coralie Gilly.

Tani synim i xhudistëve nga Kosova është paraqitja sa më e mirë në Kampionatin Botëror që mbahet në Budapest të Hungarisë, prej datës 28 gusht deri më 2 shtator.


Deklarata e xhudistes Erza Muminoviq pas... by kohanet