Përballja e Flamurtarit me Gjilanin në kuadër të xhiros së fundit të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll do ta përcaktojë fatin e të dyja skuadrave që kanë synime të ndryshme. Në fakt, kjo ndeshje do të vendosë nëse Flamurtari do të mbetet në elitë për edicionin e ri, por gjithashtu do të jetë vendimtare edhe për daljen e Gjilanit në Evropë. Ndeshja luhet në stadiumin e Flamurtarit, të dielën prej orës 17:00. Flamurtari vetëm me fitore e siguron statusin e anëtarit të Superligës, sikurse Gjilani që me triumf në këtë ndeshje e konfirmon pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Gjilani aktualisht është në pozitën e dytë, që ia garanton për herë të parë pjesëmarrjen në garat evropiane si nënkampion. Futbolli kosovar në edicionin e ri do të përfaqësohet me tri ekipe në Evropë – kampionin në Ligën e Kampionëve dhe nënkampionin e fituesin e Kupës në Ligën e Evropës. Tash për tash, vetëm Drita si kampione është konfirmuar për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, Flamurtari është i shtati në tabelë me 43 pikë, dy më shumë se Trepça ’89 e Drenica që ndajnë pozitat tetë dhe nëntë. Kjo e fundit edicionin e ardhshëm dërgon automatikisht në Ligën e Parë, ku pjesëmarrjen tashmë e kanë konfirmuar Ferizaj, Dukagjini e Vushtrria - si tri ekipet e fundit në tabelë. Flamurtarin nuk e shpëton as barazimi ndaj Gjilanit në rast se Trepça ’89 e Drenica triumfojnë në ndeshjet e fundit për shkak se ka bilanc më të dobët në ndeshjet e ndërsjella. Trepça ’89 në xhiron e fundit e pret Prishtinën, derisa Drenica në Skenderaj do të përballet me Dukagjinin. Kështu që te Flamurtari e kanë parasysh se vetëm me fitore ndaj Gjilanit do të arrijnë synimin – mbijetesën në Superligë.
“Vetëm fitorja ndaj Gjilanit na e garanton mbetjen në Superligë dhe këtë e kemi parasysh të gjithë në klub. Nuk do të jetë aspak lehtë, sepse Gjilani ka një ekip shumë të fortë dhe ne kemi mungesa, por do të dalim në fushë për të fituar. Në anën tjetër, Gjilanin vetëm fitorja e dërgon në Evropë. Nuk do të jetë lehtë as për ne, e as për Gjilanin”, ka pranuar trajneri i Flamurtarit, Synaj Keçi.
Ngjashëm si te Flamurtari, edhe te Gjilani e kanë parasysh se vetëm fitorja në xhiron e fundit është garancë për arenën ndërkombëtare. Gjilani renditet i dyti me 65 pikë, një më pak se Ballkani që gjithashtu po e kërkon daljen në Evropë, por që ndeshjen e fundit e luan në shtëpi kundër Dritës që tashmë është konfirmuar kampione për këtë edicion.
“Ne jemi brenda objektivave tona dhe ndeshjen e fundit të këtij edicioni do të shkojmë për ta fituar që të konfirmojmë pjesëmarrjen në Evropë. Objektivi është Evropa dhe do të japim maksimumin ndaj Flamurtarit për të ruajtur pozitën e dytë”, ka thënë trajneri i Gjilanit, Gentian Mezani.