Te Flamurtari e kanë parasysh se vetëm fitorja kundër Gjilanit në xhiron e fundit të këtij edicioni ua siguron mbetjen në Superligë edhe për sezonin e ri. Mirëpo, edhe te Gjilani e kanë në mendje se daljen në Evropë për herë të parë në histori të klubit mund ta zyrtarizojnë vetëm me fitore përballë Flamurtarit. Kështu që, kur të dyja skuadrat do të dalin në fushë për t’u përballur, e kanë synimin e njëjtë – fitoren. Ndeshja ndërmjet Flamurtarit dhe Gjilanit zhvillohet të dielën në Prishtinë prej orës 17:00 dhe i takon xhiros së 33-të, të fundit për këtë edicion. Kjo përballje konsiderohet si më e rëndësishmja e xhiros së fundit për shkak se vendos si për mbijetesë ashtu edhe për pjesëmarrjen në Evropë. Flamurtari zë vendin e shtatë në tabelë me 43 pikë, dy më shumë se Trepça ’89 e Drenica që ndajnë pozitat tetë dhe nëntë. Mirëpo, ekipin nga Prishtina vetëm fitorja e konfirmon në elitë edhe për sezonin e ri, i cili pritet të startojë në muajin shtator. Në fakt, Flamurtarit nuk i konvenon as barazimi me Gjilanin për shkak se nëse mbetet në kuotën e njëjtë të pikëve me Trepçn ’89 e Drenicën, ekipe që gjithashtu synojnë fitore në xhiron e fundit, atëherë do të bjerë nga Superliga për shkak të bilancit më të dobët në ndeshjen e ndërsjellë. Trepça ’89 luan në shtëpi me Prishtinën derisa Drenica e pret Dukagjinin tashmë të rënë nga Superliga. Aktualisht Drenica është e nënta në tabelë, pozitë që automatikisht dërgon në një rang më të ulët të garave.
“Neve na shpëton vetëm fitorja dhe këtë e kemi parasysh. Mirëpo, edhe Gjilanit i duhet fitorja për të siguruar Evropën. Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne, për shkak se Gjilani ka ekip më të mirë dhe është favorit. Do të mundohemi të japim maksimumin në këtë ndeshje që është më e rëndësishmja e këtij edicioni. Mbetet të shihet se sa futbollistë do t’i kem në dispozicion për shkak të lëndimeve”, ka pranuar trajneri i Flamurtarit, Synaj Keçi.