Mesfushori Granit Xhaka ka dy synime për sezonin 2022/23 me skuadrën e Arsenalit. Në një intervistë për ESPN, Xhaka ka pranuar se synimi i tij i madh është triumfi në Ligën e Evropës, sukses ky që automatikisht do ta kualifikonte Arsenalin në Ligën e Kampionëve për edicionin 2023/24. Arsenali nuk ka luajtur në Champions tashmë gjashtë sezone dhe suksesi në Ligën e Evropës po shihet nga Xhaka si rrugë më e shpejtë për rikthim në garën elitare të Evropës. Po ashtu, Xhaka ka thënë se Arsenali synim e ka të përfundojë në top-katërshe në Premier League, pasi ka ekip për ta bërë një gjë të tillë.
“Ne jemi sërish në Ligën e Evropës dhe kjo është për mua diçka që mund të arrijmë: të marrim trofeun në këtë garë do të ishte shumë, shumë e veçantë, mendoj. Para së gjithash, do të ktheheshim në Ligën e Kampionëve. Së dyti, të fitosh trofeun e Ligës së Evropës është për mendimin tim mahnitëse”, ka thënë Xhaka. “Po ashtu, synojmë të jemi në katër ekipet më të mira në Premier League. Nëse e bëjmë këtë, kjo është diçka që unë e quaj sukses. Unë po shoh se jemi rritur si ekip dhe kam ndjenjën se jemi në rrugë të mirë për të arritur diçka në sezonin e ri”.
Xhaka ka shtuar se atmosfera në ekip gjatë fazës përgatitore është shumë e mirë, pasi është rritur edhe optimizmi pas transferimit të Gabriel Jesusit, Fabio Vieiras, Maqruinhosit e Matt Turnerit. Ai insiston se Arsenali do të jetë plotësisht i gatshëm për edicionin e ri. Megjithatë, mesfushori ka pranuar se verën e shkuar ishte shumë afër largimit nga Arsenali. Në fakt, ka thënë se transferimi i tij te Roma në Serie A është stopuar në momentet e fundit nga trajneri Mikel Arteta, të cilin e vlerëson shumë. Ai shton se pa Artetan nuk do të ishte më pjesë e klubit, pasi trajneri e ka ndihmuar edhe në rregullimin e raporteve me tifozët e Arsenalit. Xhaka ka zbuluar se Arteta e ndaloi të largohej nga Arsenali edhe në vitin 2020 kur mungonte vetëm nënshkrimi i mesfushorit për t’iu bashkuar Hertha Berlinit.
“Pa Mikel Artetan nuk do të isha më në këtë klub. Ai më ndihmoi shumë edhe në aspektin taktik. Më mori mënjanë dhe më ndihmoi edhe me tifozët. Kam pasur shumë trajnerë, por duhet të them se Arteta është një nga më të mirët që kam pasur ndonjëherë”, ka pranuar Xhaka. “Isha shumë pranë transferimit te Roma. Nuk kalova te Roma sepse Arteta dhe drejtori teknik Edu nuk më lanë që të largohesha, dëshironin që të qëndroja këtu”.
Pasi nuk u transferua te Roma, Xhaka e rionovoi menjëherë kontratën me Arsenalin, e cila do ta mbajë në “Emirates Stadium” deri në verën e vitit 2024. Xhaka ka insistuar se është shumë i lumtur te klubi nga Londra, të cilit iu bashkua në vitin 2016 nga Borussia Moenchengladbachu.
“Jam shumë i lumtur këtu, po ashtu edhe familja ime. Kam kontratë edhe për dy vjet dhe do të jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar ekipin”, është shprehur Xhaka 29-vjeçar.
Sezonin e shkuar Xhaka ka regjistruar 30 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Arsenalit, duke shënuar një gol dhe asistuar dy herë.