Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Xhaka ndihmon Yakinin në përzgjedhjen e asistentit

Federata e Futbollit e Zvicrës është në kërkim të një asistenti për selektorin Murat Yakin pas largimit të Vincent Cavinit. Ndërkohë, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, i ka dalë në ndihmë përzgjedhësit Yakin, duke ia propozuar angazhimin e Stephan Lichtsteinerit. Lichtsteiner në vitin 2020 është tërhequr nga futbolli aktiv, ndërsa për Zvicrën ka regjistruar 108 paraqitje dhe ka shënuar tetë gola prej vitit 2005 deri në vitin 2015. Ai, po ashtu, për një periudhë të gjatë ka bartur edhe shiritin e kapitenit.

“Do të ishte avantazh nëse dikush me eksperiencë të nivelit të lartë do të na bashkohej. Një ish-lojtar, i cili e di saktësisht se çfarë ndodh brenda dhe jashtë ekipit. Dikush që ka sytë e veshët e hapur, i cili komunikon, që mund të jetë një person kompetent me të cilin lojtarët mund të komunikojnë – dikush që na përmirëson nëse ne bëjmë diçka gabim”, ka thënë Xhaka të premten në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve “Keystone-SDA”.

Zgjedhja e duhur për Xhakën

Për Xhakën, i cili është rekordmen për paraqitje të Zvicra, Stephan Lichtsteiner, do të ishte personi ideal për të qenë asistent i Yakinit. Sipas Xhakës, Lichtsteiner do t’i plotësonte të gjitha kriteret për këtë post.

“Ai do të ishte zgjedhje e duhur për ekipin tonë. Ai di si duhet të fitohet dhe çfarë duhet të bëhet për të qenë të suksesshëm”, ka shtuar tutje Xhaka.

Lojtari kyç i liderit të Bundesligës, Bayer Leverkusen, flet në superlativ për ish-kampionin e Serie A me Juventusin.

“Steph e ka edhe reputacionin në shtëpi dhe jashtë vendit. Ai është i respektuar gjithandej. Aktualisht, ai është duke e përjetuar eksperiencën e parë si trajner në Basel. Pse jo ai?”, ka vazhduar tutje Xhaka.

Lichtsteiner, tashmë gati 40-vjeçar, është trajner te skuadra U16 e Baselit. Ai në këtë post është prej verës së vitit të kaluar, ndërsa është edhe në bordin e drejtorëve te skuadra e hokejit në akull, HC Lugano. Ai është konsideruar si person që punon fort dhe ka kërkesa të mëdha nga futbollistët që e rrethojnë. Xhaka arriti ta njohë edhe më shumë Lichtsteinerin dhe vlerësimi i tij maksimal ka ardhur kur mbrojtësi i krahut të djathtë ishte transferuar tek Arsenali.

“Ai erdhi në Londër kur ishte 34-vjeçar dhe na demonstroi profesionalizmin e tij çdo ditë. Aty më pas e pashë dhe e kuptova më në fund pse ai i ka fituar të gjithë ata tituj me Juventusin. Nuk është befasi. Mënyra se si përgatitesh, sillesh dhe stërvitesh, shfaqet në fushën e lojës. Kjo duhet të futet në kokat tona”.

“Duhet të jemi të bashkuar”

Kampionati Evropian do të organizohet në Gjermani këtë vit dhe nis në muajin qershor. Zvicra është në Grupin A, bashkë me Gjermaninë, Skocinë dhe Hungarinë.

Marrë parasysh grupin në të cilin gjendet Zvicra, Xhaka ka nisur të shqetësohet për stabilitetin në fazën defensive.

“Nuk funksionon asgjë nëse mendojmë të luajmë të vetmuar. E shohim këtë çdo ditë në Bundesligë dhe në Premier League. Duhet të vraposh, të fitosh duele, të jesh skuadër e bashkuar. Përndryshe, do të jetë vit i vështirë për të gjithë ne. Lichsteiner mund ta përmirësojë strukturën defensive. Sipas meje, mbrojtja është shumë e rëndësishme. Puna e mirë në atë fushë të lojës, e shtron rrugën për fitore më të lehtë, kështu që shumëçka varet nga mbrojtja”, ka theksuar Xhaka nga Leverkuseni, para nisjes së pjesës së dytë të sezonit në Bundesligë.

Artikuj të ngjashëm