Stephan Lichtsteiner e ka mbajtur konferencën e parë për shtyp si trajner i kampionit në fuqi të Zvicrës, Baselit.
Legjenda zvicerane, Lichtsteiner, të hënën u emërua trajner i Baselit, pas shkarkimit të Ludovic Magninit.
Ish-futbollisti i njohur në konferencë e ka përmendur edhe Xherdan Shaqirin, që është kapiten i Baselit.
“Për mua si trajner, Shaqiri është lojtar që mund të bëjë diferencën dhe mezi pres të punoj me të”, tha Lichtsteiner.
Për kohë të gjatë, Lichtsteineri dhe Shaqiri kanë luajtur së bashku te Përfaqësuesja e Zvicrës.
42-vjeçari Lichtsteiner tashmë pret që të njoftohet nga afër me lojtarët e Baselit. Ai ka deklaruar se është i gatshëm për detyrën që e ka pranuar.
“Sigurisht, kam ndjekur shumë ndeshje të Superligës. I njoh pak a shumë ekipet dhe është e qartë se kam disa ide në mendje. Por tani duhet t’i njoh lojtarët në dhomën e zhveshjes. Sfida është e madhe. Jam i vetëdijshëm për këtë. Megjithatë, arrita në përfundim relativisht shpejt se doja ta pranoja dhe se jam gati për detyrën e madhe”, u shpreh Lichtsteiner.
Lichtsteiner me Baselin ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2029.
Ai së fundi ishte trajner te skuadra e kategorisë së katërt të futbollit zviceran, FC Wettswil-Bonstetten.
Ka punuar edhe te të rinjtë e Baselit.